Ngjyrosja e Kryeministrit, Hoxha: Dhunë është ajo që bën mazhoranca me kartonat, jo ca pika bojë

E Enjte, 14 February 2019 22:16

Analisti, Artan Hoxha, nuk gjen dhunë në incidentin e sotëm në Kuvend.

I ftuar në Ora News, Hoxha thotë se boja ndaj Kryeministrit ishte simbolikë, ndërsa dhuna e vërtet sipas tij është dhuna e kartonave të mazhorancës.

Artan Hoxha: Ca pika boje nuk do ti quaja dhunë.Ishte një situatë e brendshme parlamentare që nuk kishte të bënte fare me mikun dhe miku nuk është ndjerë i ofenduar. Kot e bëjnë tragjike. Dhuna kryesore në Parlament është dhuna e qeverisë, e cila është një dhunë kartonash, një dhunë që nuk dëgjon atë që kërkon opozita.Është një qeveri e shurdhër dhe e pandjeshme ndaj problemeve që kanë njerëzit.Po të vimë dhe tek xhestikulacionet, nuk do ta quanim dhunë dhe përqeshjen me gjuhën jashtë të Kryeministrit ndaj nënkryetarit të grupit parlamentar të PD. 

Ajo që ndodh çdo ditë në Parlamentin shqiptar ku kemi një dhunë kartonash dhe shurdhërie qeveritare, ajo është dhunë. Pikat e bojës nuk janë dhunë. Ka edhe grushta që quhet dhunë fizike por ka ndodhur kur këta që janë në qeveri kanë qenë në opozitë. Nuk ka ndodhur nga kjo opozitë me këta në qeveri dhunë fizike.Dhunë është kur garda dhe policia ngrejnë padi penale me akuzën se deputeti Paloka ka hedhur lëndë kimike ndaj Kryeministrit, a thua se i ka hedhur acid apo lëndë lurftarake kimike.Ajo është një simbolikë ndaj Kryeministrit dhe kaq.

Teksa policia ka kufizuar protestën e opozitës, duke u dhënë leje të protestojnë vetëm para sheshit të Kryeministrisë dhe jo përreth saj, Hoxha ka një këshillë për uniformat blu.

Artan Hoxha: Policia duhet të lexojë mirë ligjin e protestave, policia nuk kufizon protestat.Përveçse duhet të japë justifikime të arsyeshme që mund të kufizohet hapësira e një proteste. Njerëzit janë të lirë të protestojnë dhe policia ka për detyrë të ruajë rendin në atë itinerar që kërkojnë protestuesit. Kufizimi është in ekstremis për një situatë të jashtëzakonshme, një parashikim të një akti terrorist.Çfarë problemi ka se u protestoka nga të njëjtit njerëz përballë Kryeministrisë dhe në dy krahët e saj, ku është problemi këtu që policia e paska kaq tmerr.

Në orët e pasdites nisi rrethimi i Kryeministri.

Artan Hoxha: Ajo shëmtirë aty vetëm do të zbukurohet nga ca njolla boje me ngjyra.Unë nuk jam piktor por edhe ai nuk është piktor.

Protesta e 16 shkurtit nuk ka një afat të përcaktuar për mbyllje, teksa analisti Hoxha thotë se krijimi i një qeverie tranzitore është i vetmi mekanizëm për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Artan Hoxha: Shoh një opozitë tejet të vendosur për të arritur objektivin e saj që do të jetë një situatë normale politike që mundëson zgjedhje normale në Shqipëri. Kjo opozitë në 2017 pranoi formulën e sugjeruar dhe nga ndërkombëtarët duke i dhënë besim Edi Ramës se me një marrëveshje me opozitën do të mund të realizoheshin zgjedhje të lira dhe të ndershme. E vulosi dhe Zëri i Amerikës që ato nuk kanë qenë të tilla, ai pakt nuk funksionon. Zgjedhje të lira dhe të ndershme me kryeministër Edi Ramën nuk mund të ketë dhe opozita i vënë objektiv vetes që do të ketë një qeveri tranzitore, vetëm kështu mund të garantohet vota e lirë në Shqipëri. Besoj që Rama nuk do ta pranojë.

Login to post comments