Konferenca e Sigurisë në Munih, i pranishëm Presidenti Meta

Premte, 15 February 2019 12:01

Nga data 15 deri në 17 shkurt do të zhvillohet Konferenca e Sigurisë në Munih, ku do të marrin pjesë kryetarë shtetesh dhe zyrtarë të tjera të lartë nga e gjithë bota.

I pranishëm në këtë konferencë do të jetë edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, me ftesë të Kryetarit të Konferencës së Sigurisë së Mynihut, Ambasadorit Wolfgang Ischinger.

Në këtë edicion të 55-të të Konferencës, pritet që të diskutohen dhe debatohen qëndrime lidhur me zhvillimet aktuale botërore, sfidat e rendit liberal botëror, multilateralizmi, marrëdhëniet transatlantike e kërcënime e reja për paqen dhe sigurinë në botë.

Konferenca ka si objektiv kryesor ndërtimin e besimit dhe gjetjen e zgjidhjeve paqësore për konfliktet.

Gjatë pjesëmarrjes në Konferencë, Presidenti Meta do të takohet me homologë e personalitete pjesëmarrëse.

Ndërkohë që Komisioni Evropian njoftoi se Komisioneri i zgjerimit Johanes Hahn, së bashku me presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, më 16 shkurt do të marrin pjesë në panelin, “Siguria në Evropën Juglindore”.

Në këtë konferencë do të marrin pjesë 35 udhëheqës botëror, 50 ministra të jashtëm dhe 30 ministra të mbrojtës.

Në mesin e tyre do të jetë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, Nënpresidenti amerikan, Mike Pence dhe Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

Modifikuar më Premte, 15 February 2019 12:11
Login to post comments