Duket se të gjitha premtimet e Edi Ramës dhe i ashtuquajturi “Pakt për studentët”, nuk kanë qenë gjë tjetër veçse një stategji mashtruese, për të shuar protestën e tyre të madhe. Por pasi qeveria e ka arritur këtë, ka nisur edhe hakmarrjen. Kështu studentët e ekselencës, edhe për muajin janar nuk do të marrin bursat në kohë siç u ishte premtuar me të madhe nga kryeminstri Edi Rama. Ata bëjnë me dije për gazetën “Shekulli”, se për këtë muaj në llogaritë e tyre bankare janë hedhur vetëm 1200 lekë, duke e konsideruar si një tjetër tallje dhe mashtrim të qeverisë.
Disa prej tyre tregojnë se edhe pse kanë dorëzuar të gjitha dokumentet e nevojshme, ende nuk kanë marrë asnjë qindarkë për muajin janar. ‘Pakti për Universitetin’, nga dita në ditë po dëshmon se si qeveria i mashtroi studentët me premtimet e dhëna, për të përçarë dhe ndalur protestën e tyre. Edhe pse kryeministri u premtoi plotësimin e ‘8 pikave +’, ku ndër to ishte edhe shpërblimi për studentët e ekselencës, deri më tani ka vetëm një hakmarrje ndaj protestës së tyre. Por duket se nuk përfundon me kaq, duke shkuar më tej, konfirmohet se studentët e kategorive në nevojë që përfitojnë bursa, ende nuk i kanë marrë ato edhe pse është fundi i muajit shkurt dhe dokumentet janë dorëzuar që në fillim të janarit.
Elisabeta Toshi, studente e ekselencës në Fakultetin e Ekonomisë tha për “Shekulli”-n se përveç faktit që nuk përfitoi bursë në muajin e protestës, duke e argumentuar nga zyrat e financës që nuk paguhen për bojkot, edhe në momentin që kanë nisur procesin mësimor, sërish marrin një shumë qesharake. “Unë jam studente ekselente. Ne na premtuan që do të marrim shpërblim 100 mijë lekë të vjetër çdo muaj. Ky ka qenë vendim i qeverisë, ndërkohë tani justifikohen duke thënë se për periudhën e protestës nuk mund të marrim bursë.
E përtypëm dhe këtë mashtrim. Ne tani jemi në fund të shkurtit dhe ende nuk kemi marrë shpërblimin për muajin janar. Mos të harrojmë që fakulteti i Ekonomisë ishte ndër të parët që u kthye në mësim. Nuk mund të na mashtrojnë më këtë fakt, që kemi qenë në bojkot, pasi mësimi në fakultetin tonë nisi në javën e dytë”, tha ajo. E pyetur se si është bërë përllogaritja për shpërblimin e një vlere të tillë monetare ajo tha: “ I bie që ne kemi shkuar në mësim vetëm 4 ditë, pasi i takon vetëm 3 mijë lekë dita”, përfundoi ajo. Edi Murati, është një tjetër student i ekselencës në fakultetin e Histori dhe Filologjisë, i cili ka marrë vetëm 1200 lekë për muajin janar. “Nuk po kuptojmë më asgjë se çfarë po bëhet. Disa prej nesh kanë marrë këtë shumë, disa të tjetër nuk kanë marrë fare asnjë lekë. Në fillim mendova se ishte ndonjë gabim nga ana e administrimit të financave, por më pas ishin ata që na konfirmuan se këtë shumë do të marrim”, tha ai. I pyetur nëse e gjithë kjo situatë po nxit ringritjen sërish për të protestuar, ai tha se përqindja është shumë e lartë. “Jemi duke diskutuar një ringritje dhe më të fuqishme se ajo e dhjetorit. Studentët do të protestojnë më shpejt nga sa mund të mendohet. Pas përfundimit të sezonit do merret vendim përfundimtar në lidhje me fatin tonë”, përfundoi ai.
Diamant Gashi, student i Inxhinierisë Elektrike viti e parë Bachelor në Universitetin Politeknik, tha se edhe pse është me ndihmë ekonomike, deri më tani nuk ka marrë asnjë qindarkë. “Kam aplikuar si në Këshillin Bashkiak ashtu edhe te shkolla pas njoftimit që na u bë prej zyrës së financave. Jam interesuar herë pas herë dhe e vetmja përgjigje që kam marrë prej tyre, është se ka një ngërç në financa, por konkretisht nuk na thuhet se çfarë. I kam kërkuar financave të dorëzoj numrin e llogarisë bankare dhe më kanë thënë se ende nuk është vendosur nëse do të merret apo jo bursa për këtë kategori”, tha ai. Më tej, Gashi shtoi se situata është e njëjtë për të gjithë fakultetin. “Ne me ndihmë ekonomike kemi më shumë se askush tjetër nevojë për të marrë këto pará, por duket se nuk shqetësohet njëri për këtë pjesë”, përfundoi ai. Po ashtu edhe studentët e fakulteteve të tjera pohojnë të njëjtën gjë. E tillë situatë paraqitet edhe në rrethe. Edlira Sulaj, studente në Universitetin e Durrësit tha për “Shekulli”-n se është jetime dhe për shkak të statusit përfiton bursë. “ Unë jam jetime dhe deri më tani nuk kam përftuar as bursë, as përgjysmim tarife. Askush nuk na shpjegon se çfarë do të bëhet me ne. Jemi shumë të shqetësuar, pasi nuk kemi mundësi të përballojmë shpenzimet”, tha ajo.