Mijëra studentë u ngritën për herë të parë pas 28 vitesh për të kërkuar kushte më të mira në universitete dhe konvikte, tarifa më të ulëta e cilësi më të lartë në auditore. Protesta që zgjati disa javë e lëkundi fort qeverinë Rama, e cila u detyrua të bënte edhe shumë lëvizje brenda saj.
Por kur u mendua se situata u qetësua studentët paralajmërojnë rinisje të protestave për shkak të mosplotësimit të kërkesave të parashtruara.
Oneda Skenderi, ishte një nga studentet e juridikut që u ngujua për 30 ditë duke këmbëngulur në realizimin e kërkesave. Po edhe pse ka kaluar më shumë se 1 muaj nga mbyllja e protestës ajo thotë se jo te gjitha problemet janë zgjidhur.
“Nuk mendojmë se fituam ndonjë gjë se pushteti vijon ta bëjë një vesh shurdh dhe një sy qorr për të gjitha kërkesat tona. Edhe pse u tha se u përgjysmuan tarifat tona shumë studentë kanë paguar tarifën e plotë. Nuk u plotësuan edhe kërkesat e tjera per kartën e studentin apo edhe kushtet në universitet janë ato të njëjta si i kishim më parë”, është shprehur studentja për Vizion+.
Një tjetër problem i ngritur nga studentët është edhe mënyra e rimbursimi për ata që kishin kryer pagesën e plotë të vitit akademik.
Mesa duket, kryeministrit Rama do ti duhet të përballet edhe me një tjetër problem pas protestave të opozitës dhe djegjes së mandateve parlamentare prej saj.