Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, i ftuar A2, ka folur për aksionin e opozitës, si dhe për deklaratat e faktorit ndërkombëtar dhe mundësinë e një marrëveshje.
“Nëse bëhet fjalë për marrëveshje të tipit të 17 majit nuk mund të ketë. Kushtet tona janë të qarta. Rama nuk mund të ketë më rol në politikën shqiptare. Siç e tha dhe Basha, marrëveshja me Ramën nuk ishte vetëm në dëm të PD, por edhe në dëm të shqiptarëve dhe tashmë një marrëveshje me Ramën është e përjashtuar”, është shprehur Paloka
Sa i përket faktorit ndërkombëtar dhe qëndrimeve të tyre, nënkryetari i PD-së është shprehur: “Qëndrimi ynë është shpallur tashmë. Sa më shpejt të kuptojnë të gjitha palët se zgjidhja nuk është duke sulmuar opozitën. Topi është në fushën e Ramës dhe vendimet duhet t’i marrë ai. Të tjerët duhet të kuptojnë se veprimet e opozitës janë pasoja të kësaj mazhoranca.
Dalja e kryeministrit Rama në "Porta a Porta" në Rai 1 ku deklaroi se protestat e opozitës po i prishin imazhin vendit, Paloka deklaron se, imazhi i vendit është prishur kur është quajtur "Kolumbia e Europës".
“Nuk e di pse shkoi në Itali. Por, unë di se ka paguar boll për të bërë atë xhiro. Por unë kam përshtypjen se ka dhënë efektin e kundërt nga ato që thotë Rama. Imazhi i Shqipërisë është prishuar kur vendi ynë është cilësuar si Kolumbia e Europës, është prishur kur në Parlament futen kriminelë, është prishur kur të gjitha stacionet e huaja transmetuan se si krimi me paratë e drogës ka blerë zgjedhjet. Rama po përpiqet të dalë nga gropa duke gërmuar, por kjo gjë nuk mund të ndodhë. Nëse gërmon, gropën e bën më të thellë”, u shpreh Paloka.
A ka fund kjo rrugë pa marrëveshje? “Ne i kemi provuar deri më sot të gjitha mënyrat. Kërkesa për të ndjekur të njëjtën rrugë në parlament është e gabuar. Historia ka treguar se në momentin e duhur zgjidhjet gjenden. Nuk ka nevojë të bëhen marrëveshje kokë më kokë mes Bashës dhe Ramës. Populli do t’i përcaktojë politikës se si do të jetë kjo marrëveshje që sot ka politika”, tha numri dy i PD-së.
Pyetjes se si mund të shembet sistemi, Paloka iu përgjigj: “Nuk ka më asnjë alternativë tjetër përveç protestave. Janë rreth 80% e shqiptarëve që duan largimin e Ramës dhe sa më parë ta kuptojnë dhe të bashkohen në këtë revoltë, aq më shpejt ikën Ramën, në të kundërt situata bëhet më keq. Ky është realiteti".