Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot në Fier një tjetër takim me socialistët. Por, protestues të shumtë po mblidhen me shpejtësi dhe i janë drejtuar vendit ku Rama pritet të zhvillojë mitingun e vet. Por, pa nisur ende, tensione të forta janë vërejtur në Fier para disa momentesh në përballjen e Policisë me protestuesit e shumtë që janë mbledhur me thirrjet "Rama ik!" në hyrje të qytetit të Fierit. Protestuesit e prirë nga kreu i degës së PD, Luan Baçi, kanë lëshuar thirrje të forta me megafon, por Policia, që ka krijuar një kordon, i ka shtyrë ata për të mos lejuar t’i afrohen rrugës ku pritet të kalojë kryeministri për takimin e ditës së dytë me socialistët.
Dje, në Fier ndodhi e njejta situatë: protestuesit bllokuan rrugën në Roskovec dhe Patos dhe dogjën goma, duke lëshuat thirrje në drejtim të Ramës për të dhënë dorëheqjen, ndërkohë që ai ishte nisur drejt Fierit për një takim me gratë e PS-së me rastin e 8 Marsit.
Po njësoj u prit Rama edhe në Fier: protestuesit shkuan afër vendit ku ai do të bënte takimin, por u ndaluan nga Policia. Gjatë natës, këta protestues u morën nga shtëpitë e tyre dhe u shoqëruan në Polici për t’u marrë në pyetje.
Asnjë nuk u konfronua me Policinë dhe askush nuk u lëndua nga protesta, që u kufizua vetëm me thirrje të fuqishme dhe tym.