Ambasadori norvegjez: Prej korrupsionit, kompanitë thonë pse të investojmë në Shqipëri?!

Diel, 10 Mars 2019 08:43

Flet ambasadori i Norvegjisë në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë, z. Per Strand Sjaastad: Ka shumë potencial për të zhvilluar vendin, por ende kuadri dhe situata me zbatimin e ligjit e bën atë më pak tërheqës sesa duhet të ishte dhe kjo duhet të përmirësohet.

Z. Sjaastad thotë në një intervistë për “Monitor” se Shqipëria ka veçanërisht potencial në dy sektorë, në atë të energjisë, ku parësore është krijimi i një burse të energjisë që do të garantonte investitorët për tregun dhe do t’i mundësonte Shqipërisë të kthehej në një nyjë rajonale.

Si do t’i vlerësonit marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Norvegjisë?

 

Arsyeja se pse Norvegjia do të bashkëpunojë me Shqipërinë lidhet me faktin se vendi juaj ka përcaktuar objektiva të qartë për të përmirësuar ekonominë, për të realizuar axhendën e reformave dhe do të bëhet pjesë e bashkëpunimit europian.

Këto janë objektiva që ne i mirëpresim dhe ashtu si Bashkimi Europian dhe vendet e tjera të BE-së, Norvegjia do të donte të asistonte Shqipërinë për të arritur këto objektiva.

Ashtu siç e kam thënë disa herë më parë, Shqipëria ka bërë disa përmirësime gjatë 20 viteve të fundit, si nga ana politike ashtu dhe ekonomike, por ka ende shumë rrugë për të bërë. Besoj se sfida më e madhe aktualisht në sektorin e ekonomisë është situata që ka të bëjë me zbatimin e ligjit dhe korrupsionin. Vendet dhe kompanitë i bëjnë vetes pyetjen se pse duhet të investojmë në Shqipëri, pse të mos shkojmë në një vend tjetër.

Ata duhet të kenë një përgjigje të qartë për të gjitha pyetjet dhe shqetësimet që kanë. Ndoshta këto pyetje kanë të bëjnë me fuqinë punëtore të kualifikuar, ndoshta me situatën e zbatimit të ligjit, ndoshta me sigurinë që e drejta e autorit do të mbrohet dhe ndoshta të kenë sigurinë, që në rast se do të kenë një konflikt, ai do të trajtohet në mënyrë të ndershme në Gjykatë, ndoshta me doganat, apo me korrupsionin. Unë nuk mendoj se këto pyetje sot marrin një përgjigje të kënaqshme. Ka nevojë për shumë përmirësime në Shqipëri që të vijnë investitorët e huaj.

Shumë vende dhe kompani e shikojnë Shqipërinë potencialisht si një treg me interes. Vendi ka shumë potencial në sektorin e energjisë. Duke qenë se ka një bregdet të gjatë, ka potencial në sektorin detar dhe në sektorin përpunues, si veshje, këpucë dhe produkte jo shumë të komplikuara, që kanë një kosto të ulët të fuqisë punëtore. Nga ana e Norvegjisë, ne kemi një nga investitorët më të mëdhenj në Shqipëri, Statkraft, në sektorin e energjisë dhe ata po planifikojnë që të zgjerohen në aktivitete të tjera. Shpresoj që kompanitë norvegjeze në sektorin detar do të jenë të interesuara që të investojnë këtu.

Së fundmi kemi nisur një projekt me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në sektorin detar, që shpresoj se do të jetë fillimi i një bashkëpunimi mes nesh. Për ta përmbledhur, besoj se ka shumë potencial për të zhvilluar vendin, por ende kuadri dhe situata me zbatimin e ligjit e bën atë më pak tërheqës sesa duhet të ishte dhe kjo duhet të përmirësohet.

Si e vlerësoni situatën politike në Shqipëri dhe ndikimin e saj tek investitorët e huaj?

Situata që ne shohim tani, kur opozita dha dorëheqjen nga funksionet e saj në Parlament nuk është pozitive. E pranoj që realizimi i protestave paqësore është një veprim i ligjshëm në një demokraci, por ndërmarrja e hapave radikalë si dorëheqja nga Parlamenti nuk i shërben një demokracie funksionale. Ajo që duhet bërë në vend të kësaj është të ketë një dialog, midis opozitës dhe qeverisë, për të parë nëse mund të zgjidhen të gjitha diferencat përmes diskutimeve dhe jo veprimeve ligjore.

Kjo tregon që demokracia shqiptare nuk është aq e maturuar sa duhet të ishte. Kam besim se gjërat do të përmirësohen në vitet që do të vijnë dhe realisht shpresoj kështu, por për momentin, kjo situatë nuk është një sinjal i mirë. Kjo është dhe një shenjë që mund ta bëjë më të komplikuar për Shqipërinë që të ecë përpara në rrugën europiane drejt integrimit aq shpejt sa ajo shpresonte.

Ju përmendët se sektori detar është interesant për kompanitë. Nëse mund të flisni më konkretisht…

Për momentin në sektorin detar, ne kemi një plan me dy faza. Në fazën e parë, ne kemi nisur tre projekte së bashku me autoritetet shqiptare. Qëllimi i këtyre projekteve është të rriten kapacitetet e autoriteteve që janë përgjegjëse për sektorin e marinës, të krijohet një sistem edukimi në mënyrë që të trajnohen njerëzit me njohuri në sektorin e marinës, si dhe përmirësimi i infrastrukturës së lundrimit dhe komunikimit në det.

Kur të zbatohen këto tre projekte, që ne po i zhvillojmë së bashku me autoritetet shqiptare, gjatë dy viteve të vazhdim, kjo do ta bëjë Shqipërinë më të përgatitur që të mirëpresë kompanitë që të investojnë në sektorin detar.

Për momentin, mundësitë e investimit nuk janë shumë të larta, ka disa të tilla në porte, në marinë. Shpresoj që duke përmirësuar infrastrukturën dhe kapacitetet e navigimit dhe komunikimit, mjedisi i investimit në sektorin detar do të jetë shumë më i mirë dhe më pas, do të jeni në gjendje të tërhiqni kompani jo vetëm nga Norvegjia, por dhe nga shtete të tjera fqinjë.

Nëse do ta shihni Shqipërinë në rajon, pse duhet të vijnë investitorët e huaj në Shqipëri, çfarë avantazhesh ka vendi?

Duhet të shikoni tek avantazhet krahasuese që keni. Kur jeni një vend me potencialin e dytë hidroenergjetik në Europë, pas Norvegjisë, ky është një avantazh. Po ashtu dhe për energjinë diellore, veçanërisht në jug të Shqipërisë, që është i shkëlqyer për diellin. Ju keni po ashtu dhe bregdetin. Bregdeti në Shqipëri nuk është shumë i zhvilluar, përkundrazi është i nënzhvilluar. Kushdo e kupton që kjo është një mundësi e humbur.

Shqipëria ishte një vend me marinë të zhvilluar para 100 vitesh, por mund të bëhet sërish i tillë. Duhet të filloni të përdorni bregdetin. Ju keni një bregdet që me shpresë, shumë shpejt, do t’ju japë mundësi për investime.
Janë gjeografia dhe burimet natyrore, që përbëjnë interes për shumë vende, veçanërisht Norvegjinë që ka përvojë në marinë dhe burimet natyrore, si minerale, naftë dhe gaz, energji.

Login to post comments