Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim dy këshilltarët politikë të Kancelares Angela Merkel: Jan Hecker dhe Matthias Luttenberg.
Ata po vizitojnë Kosovën pas vizitave të disa anëtarëve të administratës Trump dhe numrit tre të Departamentit amerikan të Shtetit, David Hale, që dështuan ta bindnin Kryeministrin e Kosovës që të heqë taksën ndaj produkteve serbe për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë.
Edhe këshilltarët e lartë të Kancelares Merkel besohet se kanë shkuar në Kosovë me të njëjtën kërkesë për Kryeministrin Haradinaj. Gjermania, ashtu si SHBA, e kundërshton mbajtjen në fuqi të taksës 100 për qind për produktet serbe. Por ndryshe nga SHBA, Gjermania kërkon që në bisedime të mos preken kufijtë aktualë të Kosovës. Pas përfundimit të takimit me dy këshilltarët e Merkel, Haradinaj nuk ka dhënë asnjë detaj. Ai ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë në të gjitha etapat e shtetndërtimit të Kosovës.
“Bisedë e hapur me këshilltarët politikë të Kancelares gjermane, Angela Merkel… Shteti gjerman është partner i rëndësishëm ekonomik dhe politik i Kosovës dhe zë i fuqishëm i saj në strukturat euroatlantike”, ka shkruar Haradinaj. Por sipas burimeve të mediave në Kosovë, dy diplomatët gjermanë i thanë Haradinaj se duhet gjetur një zgjidhje rreth tarifës për produktet serbe. Hecker dhe Leuttenberg kanë kërkuar të dinë nëse Kosova ka një plan për arritjen e Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë me Serbinë. Më pas, këshilltarët kryesorë të Politikës së Jashtme të Gjermanisë me prioritet kanë diskutuar çështjen e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
Zyrtarët e lartë gjermanë kanë takuar në mbrëmje edhe Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe pas takimit me të, kanë shkuar sërish të mbajnë një tjetër takim me Hardinajn. Këto takime nuk janë komentuar në detaje.