Kërpaçi flet për protestën e 16 marsit: Gjithçka në dorën e qytetarëve

Tuesday, 12 Mars 2019 10:23

Intervista e ish- deputetes së LSI-së Floida Kërpaçi për emisionin 7pa5 në Vizion Plus

Ju i dorëzuat mandatet por këto janë mandate të cilat po merren nga kandidatët të cilët ishin poshtë në listë. I trembeni se zgjedhjet lokale mund të zhvillohen me këta deputetë që janë me këtë opozitë të re?

Nuk trembemi sepse ky është një vendim politik i marrë në një situatë shumë të vështirë të vendit ku janë shembur themelet e demokracisë. Ku kemi dosje dhe kemi përgjime nga Prokuroria ku faktohet sesi qeveria dhe zyrtarë të lartë të saj janë të përfshirë në shitblerjen e votës. Në këtë moment kur kemi një raport të OSBE-ODHIR-it për 2017 ku thuhet se qeveria ka blerë 20% të votave dhe është një dokument zyrtar dhe duhet ta kuptojmë ashtu siç është. Në këto momente kemi një Parlament ilegjitim dhe mandatet tona nuk i shërbenin qytetarëve prandaj ne i dorëzuam ato dhe iu kthyem sovranit, bëmë atë që ata dëshironin. Përsa i përket të tjerëve që vijnë, nuk mund ti komentojmë sepse janë mandate ilegjitime në një Parlament ilegjitim.

Përfaqësuesit e mazhorancës thonë se ata janë legjitim duke qenë se kanë qenë në lista..

Përfaqësuesit e mazhorancës thonë dhe që shëndetësia është falas, thonë dhe që do hapen 300 mijë vende pune por nuk janë të vërteta. Janë mësuar me propagandë nga mëngjesi deri në darkë. Dhe kjo propagandë e tyre është e keqja më e madhe që i bëhet shqiptarëve. Sepse qytetarët kanë nevojë për politika reale, për garanci dhe stabilitet në jetën e tyre jo për propagandë.

Janë dhe ndërkombëtarët të cilët duken se janë njëzëri kundër vendimit për djegien e mandateve…

Ne kemi marrëdhënie shumë të mira me ndërkombëtarët  dhe kemi qenë në diskutime të vazhdueshme. Ata janë shumë të shqetësuar për gjendjen në Shqipëri, për dosjen 339 dhe dosjet e tjera të cilat faktojnë sesi shitblerja e votave ka ndodhur në zgjedhjet e 2017. Kemi një vendim gjykate që tregon sesi PS në Vorë ka blerë votat. Kështu që padiskutim dhe ndërkombëtarët janë të shqetësuar pasi që të shkojmë drejt integrimit Europian duhet të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Për të shkuar deri këtyre zgjedhjeve ju kërkoni largimin e Edi Ramës..

Ne kemi kërkuar një qeveri tranzitore pa Edi Ramën sepse ai është njeriu që i mban të lidhura të gjitha grupimet e caktuara dhe nëpërmjet tij ato kanë fuqinë dhe drejtojnë sot shtetin. E kemi thënë gjithmonë  që ne nuk kërkojmë pushtet por duam që të bëjmë shtet dhe të forcojmë themelet e demokracisë në vend.

Kjo është një javë e rëndësishme për opozitën sepse në datën 16 ju do të keni një tjetër protestë masive. Çfarë synoni nëpërmjet një proteste të tillë? Cili do të jetë rezultati që kërkoni?

Ne e kemi shprehur gjithmonë që është protesta e qytetarëve, është protesta e revoltës së problemeve dhe halleve të qytetarëve. Sepse sot qytetarët jetojnë në një mjerim ekonomik, në një skamje dhe pamundësi ekonomike, pasiguri sociale. Sot përdhunuesi shitet si vlerë, dhe ai që është moral shitet si antivlerë. Pra jetojmë në një shoqëri ku tashmë të gjithë ekuilibrat e saj janë çekuilibruar dhe prandaj e kemi shprehur gjithmonë që protesta e datës 16 do të jetë masive. Sepse ne kemi qenë me qytetarët, kemi qenë në çdo qytet, në çdo lagje, i kemi takuar dhe i kemi përjetuar së bashku me ta vështirësitë që po përjetojnë dhe pamundësitë, apo mos mbështetjen nga ana e qeverisë, që me politikat e saj nuk i jep ndihmën që ata duan për të jetuar një jetë më të mirë në Shqipëri. Prandaj themi që protesta e datës 16 do të jetë masive, edhe më masive se ajo e 16 shkurtit.

Çfarë do të prodhojë kjo protestë më pas?

Ne do të jemi me qytetarët dhe do të vendosim atë që do të na kërkojnë qytetarët ashtu siç vepruam edhe në 16 shkurt. Ishim me qytetarët dhe ata na kërkuan që ne të dorëzonim mandatet sepse nuk kishin më vlerë mandatet tona përballë një Parlamenti ilegjitim dhe ne duhet të vazhdojmë aksionin tonë për të kërkuar rikthimin e demokracisë në vend dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Dhe pa diskutim që këtë mision tonin ne do ta vazhdojmë më 16 mars, pas 16 marsit dhe do t’i bindemi sovranit dhe qytetarëve.

Që do të thotë?

Që do të thotë se atë që do të na kërkojnë ata ne do ta bëjmë. Ne e treguam që jemi me qytetarët dhe jo me populizmin. Ne e treguam që jemi për votën e lirë dhe jo për votën e krimit. Ne e treguam që nuk jemi aty për pushtetin dhe për karrigen, por jemi aty për demokracinë, vendin dhe për Shqipërinë. Dhe për këtë ne i dorëzuam mandatet tona dhe e bëmë këtë akt që ishte një akt ekstrem, por akt ekstrem për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria sot. Pa diskutim që edhe në 16 mars ne do t’i bindemi vullnetit të qytetarëve dhe do të vazhdojë aksioni sipas kërkesave të tyre.

Do të jetë një protestë e qetë ajo e 16 marsit?

Opozita gjithmonë ka bërë thirrje për protesta paqësore, të qeta dhe qëndrestare.

Por jo gjithmonë janë dëgjuar thirrjet e opozitës…

Të infiltruar të qeverisë, të cilët vijnë nëpër protesta për të krijuar një lloj imazhi që nuk është, këtë ne e kemi denoncuar gjithmonë në protesta. Opozita ka qenë gjithmonë e qartë në thirrjet dhe deklaratat e saj për protesta demokratike, paqësore, qëndrestare, ku qytetarët të protestojnë me të drejtën e tyre, për hallet, problemet e tyre si dhe për të kërkuar për një Shqipëri që ecën më shpejt drejt Bashkimit Europian. Këto janë kërkesa, këto janë qëndrime zyrtare që ne kemi mbajtur dhe do të vazhdojmë të kemi të njëjtin qëndrim. Protesta e datës 16 mars do të jetë një protestë paqësore. Një protestë ku qytetarët do të vijnë nga e gjithë Shqipëria  në mënyrë masive. Një protestë ku të rinjtë do të kenë një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, sepse duan që të refuzojnë një qeveri e cila po i largon çdo ditë jashtë Shqipërisë sepse këtu nuk shikojnë më shpresë për të ardhmen. Këtu nuk kanë më shpresë për arsim cilësor, punësim të mirë paguar, siguri sociale dhe mundësi të barabarta. Në një situatë të tillë të gjithë do të jemi aty më 16 mars për të kërkuar një Shqipëri më të mirë dhe që ecën më shpejt drejt Bashkimit Europian.

Presidenti Meta ka dekretuar 30 qershorin si ditën e zgjedhjeve lokale. Duket se me këtë qëndrim, me këtë rrugë opozita deri tani nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit?

Nëse keni dëgjuar Kryetaren e LSI-së, zonjën Kryemadhi, ajo ka deklaruar që përpara zgjedhjeve lokale do të ketë zgjedhje të përgjithshme dhe besoj që në maj do të shkojmë drejt zgjedhjeve të përgjithshme.

Kjo është një kërkesë e juaj apo keni indicie për këtë gjë?

Opozita është vazhdimisht në diskutime, në takime me ndërkombëtarët, është shumë e shqetësuar për situatën demokratike në vend dhe ka një mision për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në vend. Kështu që pa diskutim çdo deklaratë ka një bazë ku mbështetet.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...