Në vitin 2018 të paktën 9.4 për qind e procedurave të prokurimit është dhënë sipas praktikës së negocimit pa shpallje paraprake. Kjo do të thotë që institucionet publike kanë preferuar që të ulen përballë bizneseve për të arritur një marrëveshje në vend të hapjes së garës. Në vitin 2017 përqindja e procedurave të njoftuara me negocim pa shpallje paraprake kundrejt atyre konkurruese ishte 7.7 për qind. Në këto procedura duket se negocimi nuk ka luajtur ndonjë rol të madh për aq kohë sa fondi limit i prokuruar dhe fondi me të cilën janë shpallur kontratat fituese janë shumë afër me njëri tjetrin. Në total nga mbi 4 miliardë lekë fond limit parashikuar për këto procedura janë kursyer pak më shumë se 45 milionë lekë.
Pavarësisht praktikës së rritjes së numrit të procedurave me negocim pa shpallje paraprake në raport me totalin e procedurave që përfitojnë edhe ato me garë, fondi limit i të parave mbetet minimal me 4.1 për qind të totalit.
Referuar analizës vjetore të Agjencisë së Prokurimit Publik në vitin 2018 numri total i procedurave të shpallura në sistemin elektronik të prokurimit është 8,400, nga të cilat 2,353 procedura janë anuluar dhe 6,047 kanë vazhduar, ndërkohë që 5116 prej tyre kanë përfunduar me fitues. Vlera totale e fondit limit të prokuruar është mbi 1 miliardë euro, ndërkohe që vlera e fondit që ka rezultuar pas nënshkrimit të kontratave është dukshëm më e ulët.
Nga raporti i APP rezulton se edhe numri i procedurave të anuluara gjatë vitit 2018 është më i lartë se ai në vitin 2017.
Nga të dhënat e pasqyruara në tabelën më sipër, rezulton se nga 8400 procedurat e shpallura për t’u zhvilluar në sistemin e prokurimit elektronik, 2353 procedura me vlerë 17 miliardë lekë janë anuluar, ndërkohë që në vitin 2017 numri total i procedurave të anuluara ishte 2161 procedura me vlerë 19 miliardë lekë.
Sipas APP ndër arsyet teknike përmendim vështirësitë e autoriteteve kontraktore në përshtatjen me sistemin e prokurimit elektronik, ku evidentohen gabime në plotësimin/kryerjen e hapave në sistemin e prokurimit elektronik, që çojnë në anulimin e procedurave.
“Ndër arsyet ligjore që çojnë në anulimin e procedurave përmendim mungesë konkurrence gjatë zhvillimit të procedurave, vendimet e anulimit nga Komisioni i Prokurimit Publik, anulime për shkak të ndryshimeve në fondet buxhetore, etj.
Një rast tjetër që vlen të përmendet në funksion të analizës së anulimeve është dhe rasti kur procedurat shpallen me lote. Sipas të dhënave, numri më i madh i anulimeve (1300 procedura) i takon procedurave të prokurimit të shpallura me lote.
Mbi 80% të anulimeve të procedurave me lote i takojnë procedurave për blerje të medikamenteve dhe materialeve të shërbimit shëndetësor, ku kryesisht janë anuluar ato lote që prokurohen për sasi me vlera të vogla të medikamenteve. Gjithashtu, një pjesë e konsiderueshme e anulimeve (370 procedura) i takon shërbimit të transportit për mësues dhe nxënës, sepse në këto procedura kërkohet transport në zona të largëta, që shpesh nuk paraqesin interes për operatorët ekonomikë” vlerëson APP./Monitor