Sistemi i drejtësisë në vend në këto vite demokraci ka qenë gjithnjë një sistem që nuk e ka gëzuar besimin e qytetarëve. Shqiptarët gjithnjë kanë dashur një Reformë Drejtësie me institucione të pavarura dhe drejtues jo vegla të pushtetit dhe dëshira e tyre nisi realizimin me konsensusin e përgjithshëm të 140 votave kur mazhoranca dhe opozita votuan ndryshimet Kushtetuese natën e 21-22 korrikut 2016.
Por çfarë ndodhi?! Çfarë bëri Edi Rama dhe Rilindja e tij?! Goditjen e madhe vdekjeprurëse reformës në drejtësi dhe një sistemi të ri të pavarur ia dhanë me zgjedhjen një kryeprokuroreje që është simbol i ndërhyrjes politike në prokurori, Arta Markut.
Prokurori i Përgjithshëm (i Përkohshëm) PPP, Arta Marku, e cila u zgjodh në detyrë në mënyrë antikushtetuese, me vetëm 69 votat e mazhorancës duke mos marrë as shumicën absolute të Kuvendit po e shkatërron këtë institucion çdo ditë e më shumë.
Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme u zgjodh nën tymin e flakadanëve të opozitës, e cila kundërshtonte zgjedhjen e njëanshme të drejtuesit të Prokurorisë vetëm me 69 vota të mazhorancës. Që ditën e parë që Arta Marku u bë Prokurore e Përgjithshme, ishte e qartë se organi i akuzës do të përdorej nga Edi Rama për të nxjerrë të pafajshëm ministrat e tij dhe t’i mbulonte çdo skandal apo krim që ai ka bërë në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Nisma e parë pro-qeveritare e Arta Markut ishte zbehja e hetimeve ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ajo ka bërë gjithçka dhe të gjitha përpjekjet për të pastruar nga të gjitha akuzat ish-ministrin, edhe pse çdo shqiptar e di lidhjet e këtij njeriu me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.
Arta Marku ndaloi hetimet për Taulant Ballën, i dyshuar si garanti i mbërritjes së 3.4 milionë eurove me Toyota Yaris, për llogari të një grupi kriminal. Jo vetëm kaq por kjo zonjë guxoi edhe të urdhërojë hetimin e kreut të opozitës, Lulzim Basha, për faktin se e denoncoi këtë trafik.
Ishte Arta Marku, që nuk heton kreun e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajn, ndaj të cilit ka akuza të shumta për korrupsion, madje edhe për vrasjen e Ardit Gjoklajt.
Arta Marku nuk hetoi vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, për vijimin e aktivitetit të narko-trafikut por guxon serish të vërë nën hetim eksponentë të opozitës dhe gazetarë që e bënë këtë denoncim.
Arta Marku as nuk ka nisur asnjë hetim për megaskandalin korruptiv të tenderit të Unazës së Re.
Arta Marku nuk ka nisur asnjë hetim për blerjen masive të votave edhe pse prova të qarta kanë dalë në këtë drejtim edhe nga mediat ndërkombëtare.
Këto janë vetëm maja e ajsbergut për sa i përket provave që vërtetojnë që me ardhjen e Arta Markut në krye të organit të akuzës, Prokuroria në fakt është kthyer në nja lavatriçe, që kriminelët pastrohen dhe dalin të pastër.
Kjo është bërë simbol i vënies në dispozicion të një bande kriminale me çfarëdolloj kostoje.