Qindra protestues janë nisur nga Elbasani në drejtim të kryeqytetit për të marrë pjesë në protestën e opozitës. Ish-deputeti Luçiano Boçi deklaroi se policia po iu bën presion protestuesve duke iu vendosur gjoba makinave dhe duke kryer kontrolle të panevojshme.
“Do i konsideroja pengesa idiote, absurde sepse qytetarët do ta gjejnë mënyrën për të qenë në protestë. Ky është një provokim i policisë ndaj protestuesve. Ndërtimi i një skeme presioni, dhune ndaj qytetarëve. Tek i njëjti vend, tek rrethrrotullimi i Bradasheshit pak kohë më parë u vranë disa njerëz, por policia nuk ka asnjë autor. Ndërsa sa herë ka protesta, policia është në gatishmëri”, deklaroi Boçi.
Sipas kreut të PD Elbasan, Eugen Isai ka pasur probleme si përherë me hetimin tatimor dhe policinë. Ai tha se janë nisur për në proteste 173 makina private dhe 10 autobusë.
Ai deklaroi se policia po bëhet pengesë për lëvizjen e protestuesve drejt kryeqytetit pasi po zhvillohen kontrolle të rrepta në hyrje të autostradës në dalje të rrethrrotullimit Bradashesh.