Kryemadhi: Loja tashmë po luhet fort, do udhëheqim zemërimin e shqiptarëve

Saturday, 16 Mars 2019 15:50

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u shpreh pas protestës së sotme se “qytetarët u përballën pa bërë asnjë hap pas, përballë pushtetit të grabitur, pushtetit kriminal dhe pushtetit të pamoralshëm të Edi Ramës”.

Kryemadhi deklaroi se “populli tashmë e ka marrë vendimin e tij, vendim të pakthyeshëm për të refuzuar deri në fund që të qeveriset nga armiku i vetëm i tij, që është Edi Rama”.

“Sot ai mori një shuplakë. Loja tashmë do të hyjë prej vërteti. Loja ka filluar të luhet fort sepse ka vetëm një rrugë, e cila u krijon shqiptarëve mundësinë e vetme. Mundësinë e vetme për ta kthyer Shqipërinë në shtëpinë ë fëmijëve të tyre, në shtëpinë e familjeve të tyre”, u shpreh ajo.

Deklarata e plotë

Në emër të LSI-së dhe në emër të të gjithë atyre mbështetësve që ishin sot në protestën e organizuar, shpreh mirënjohje pafund për mijëra qytetarë shqiptarë që vërshuan sot në rrugët e Tiranës, me bindjen dhe me dëshirën për të protestuar ndaj kapjes së shtetit, për të protestuar ndaj të keqes më të madhe, e cila ka uzurpuar jetën dhe shpresën e shqiptarëve.

Sot qytetarët u përballën pa bërë asnjë hap pas, përballë pushtetit të grabitur, pushtetit kriminal dhe pushtetit të pamoralshëm të Edi Ramës. Populli tashmë e ka marrë vendimin e tij, vendim të pakthyeshëm për të refuzuar deri në fund që të qeveriset nga armiku i vetëm i tij, që është Edi Rama.

Sot qytetarët e Shqipërisë, por më shumë qytetarët e Tiranës bënë protestën më të madhe të pluralizmit në vend. Bënë protestën më të madhe që është parë në Shqipërinë më të rrudhur, sepse ata tashmë kanë respekt për veten e tyre dhe nuk e shesin dot lirinë e tyre me asnjë çmim ndaj kujtdo.

Rruga tashmë është e nisur për të ndryshuar demokracinë në Shqipëri dhe lirinë e njerëzve në Shqipëri. Ky është vendimi që qytetarët kanë marrë. Opozita do ta udhëheqë atë në çdo orë dhe në çdo ditë zemërimin edhe indinjatën e qytetarëve kundër qeverisë të krimit, kundër narko-shtetit të Edi Ramës.

Tashmë rruga jonë nuk ka më kthim pas. Tashmë ne do të qeverisim zemërimin dhe indinjatën e qytetarëve shqiptarë, për të përmbushur një akt patriotik, që është integrimi i Shqipërisë në BE. Flamuri i Shqipërisë dhe zemra e qytetarëve do të jenë simbolet e Shqipërisë, që do ta çlirojnë atë nga krimi, nga korrupsioni, nga kapja e shtetit dhe nga varfëria. Qytetarët do të largojnë pengesën e vetme që kanë, për ëndrrën e tyre europiane, kjo pengesë e cila ka emrin e Edi Ramës. Ata kanë marrë në dorë sot fatet e tyre dhe çdo sakrificë për Shqipërinë do të jetë shumë e vogël përballë sfidës që kanë shqiptarët për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e tyre, shtëpinë e fëmijëve të tyre.

Çdo qytet dhe çdo cep i Shqipërisë, sot i bën qytetarët e saj më të fortë, më të bindur që rruga e tyre nuk ka më kthim pas. Rruga e vetme që ka Shqipëria është integrimi në Bashkimin Europian sepse e vetmja gjë që shpëton Shqipërinë nga kapja e krimit, nga largimi njëherë e përgjithmonë i kriminelëve dhe grabitësve, jo vetëm të shpresës, por edhe të xhepave të shqiptarëve, është integrimi europian. Dhe për ta arritur këtë gjë duhet që të iki një orë e më përpara i vetmi njeri që mban peng Shqipërinë dhe shqiptarët, që mban peng ëndrrat e shqiptarëve, që mban peng shpresën e të rinjve shqiptarë, i cili është Edi Rama me sektin e tij kriminal.

Sot ai mori një shuplakë. Loja tashmë do të hyjë prej vërteti. Loja ka filluar të luhet fort sepse ka vetëm një rrugë, e cila u krijon shqiptarëve mundësinë e vetme. Mundësinë e vetme për ta kthyer Shqipërinë në shtëpinë ë fëmijëve të tyre, në shtëpinë e familjeve të tyre. Faleminderit!

Modifikuar më Saturday, 16 Mars 2019 16:27
Login to post comments