I zënë ngushtë, Rama mbledh Kryesinë e PS. Priten surpriza në kongres

Hënë, 18 Mars 2019 10:57

Kryeministri dhe Kryetari i PS Edi Rama pritet të mbledhë sot kryesinë e Partisë Socialiste. Çështja kryesore është ngërçi politik që po përjeton dhe strategjia që do të ndjekë në vijim për të kapërcyer krizën, hapat e mëtejshëm. E gjithë kjo në kushtet kur PS po përgatit të mbajë më 23 mars, Kongresin e saj. Nuk jepen detaje të tjera nga axhenda e ditës, për t'ia lënë risitë dhe befasitë, me sa duket, Kongresit, ku natyrisht pritet të shpallet se cilët do të jenë kandidatët për kryebashkiakë. 

Deri tani, Rama është përballur me protestat e opozitës dhe ka vazhduar me ngulm të plotësojë ditë pas dite, vendet bosh të deputetëve të opozitës me deputetë të blerë nga listat e kandidatëve e tyre duke synuar mbajtjen e pushtetit dhe zhvillimin e zgjedhjeve lokale siç janë përcaktuar, duke përjashtuar çdo mundësi për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Gjithashtu, PS do të vijojë të mbajë një qëndrim të prerë për të ofruar dialog me opozitën, por edhe duke u përpjekur që të mos lëshojë pe sa i përket ndryshimit të mundshëm të datës së mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme vendore. Socialistët në vazhdimësi janë përpjekur që të bëjnë të qartë se zgjedhjet do mbahen në datën e dekretuar nga presidenti më 30 qershor..

***

PS mbledh Kongresin në 23 mars, zbulohen vendimet që do merren

Partia Socialiste do të mbledhë Kongresin në datën 23 mars, në orën 10:00 në Pallatin e Kongreseve. Mësohet se vendimi për mbledhjen e Kongresit të shtunën është marrë gjatë mbledhjes së Kryesisë së partisë mëngjesin e sotëm.

Burime nga mbledhja e Kryesisë bëjnë me dije për “BalkanWeb” se Kongresi do te jetë i ndarë në tre sesione të ndryshme. Fjalën kryesore do e mbajë kryetari i PS, njëkohësisht kryeministri Edi Rama, ndërsa pritet të shpallet lista e këshilltarëve bashkiake vetëm për qytetin e Tiranës.

Gjithashtu në Kongres pritet të ketë fjalime nga ministra dhe kryetarë bashkish si dhe janë ftuar të gjithë kryeministrat e PS ndër vite. Një nga të ftuarit është edhe ish kryeministri Fatos Nano, i cili pritet të marrë pjesë, por nuk do mbajë fjalim.

Ftesa për ish kryeministrat e PS është bërë sipas përcaktimeve të statutit, ku ndër të tjera thuhet se në Kongres ftohen të gjithë ish-kryeministrat e PS dhe ish-kryetarët socialistë.

Login to post comments