Ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti vë alarmin për gjendjen e bujqësisë dhe jo vetëm nga mungesa e financimit siç thotë ai por nga mungesa e ujit.
Panariti analizon çështjen dhe thotë se problem është kalimi i sistemit të vaditjes e kullimit tek Bashkia pasi kryetari i Bashkisë paratë për bujqësinë i përdor për pedonalet, trotuaret e qyteteve ku merr para dhe vota.
Ndaj sipas tij, fshati po thahet nga uji dhe banorët e tij.
STATUSI I PANARITIT
Bujqësia dhe fshati po thahen!
Po thahen jo vetëm nga mos financimi, por nga mungesa e ujit dhe nga mos vaditja! Sepse kanalet që shpien ujin në parcelat e fermerëve, iu hoqën sistemit të vaditjes dhe kullimit të Bujqësisë në qendër dhe iu kaluan bashkive. Bashkë me to “firuan” edhe paratë, bashkë me dhjetëra ekskavatorë për kanalet, argjinaturat, digat!
Këto para dhe mjete, kryetari i Bashkisë tani i përdor për pedonalet, i harxhon për trotuaret e qyteteve, aty ku korr vota dhe para!
Nuk e gjen gjëkundi këtë model! Model i kundërshtuar fort edhe nga ndërkombëtarët që na përkrahën në krijimin e një sistemi unik dhe integral. Imagjinoni, Bujqësinë e Myzeqesë dhe të fushës së Korçës, tashmë vetëm në duart e kryetareve të Bashkive, të cilët as që merakosen se nuk shkon uji në parcelat e Libofshës, Dushkut, Grabianit apo të Drithasit dhe Dvoranit! Mendja e tyre nuk ka aq rreze të largët veprimi, por është e shkurtër dhe dritëshkurtër. Mendje e betonizuar te qendrat e qyteteve. Ndërsa fshati po thahet nga uji dhe banorët e tij.