Alternativa Bushati

E Enjte, 04 Prill 2019 10:59

Qëndrimi ndryshe i ish-ministrit të Jashtëm për krizën politike. Revokimi i tezës së Fatos Nanos se duhet sakrifikuar pushtet për të bërë shtet, apeli ndaj Ruçit, Majkos e Ulqinit dhe këshilla për të mos qenë arrogantë me opozitën

Arion Sulo

Socialistët sakrifikojnë pushtet për të bërë shtet. Teza e famshme e Fatos Nanos, i cili pas zgjedhjeve të ‘97-s, edhe pse kishte një nga mazhorancat më të gjera socialiste, për të shmangur revanshin mbi demokratët ndante qeverinë me aleatët, u rikthye dje në Kuvend nga ish-ministri Ditmir Bushati, si një mesazh direkt për kryeministrin Rama.

Krahasimi i situatës së sotme me vitin 1997, ku lufta civile ishte në prag, edhe mund të çalojë, por ajo që qëndron ishte se apeli i Ditmir Bushatit për të kapërcyer krizën politike ishte mjaft i ndryshëm nga linja zyrtare e kryeministrit, i cili sapo kishte thënë se nuk do të kishte asnjë pazar me opozitën dhe siglat e PD-së dhe LSI-së do t’i çonin për skrap.

Për herë të parë pas djegies së mandateve nga opozita, një anëtar i rëndësishëm i grigjës socialiste e emërtoi gjendjen si një udhëkryq i madh dhe kërkoi shmangien e arrogancës nga mazhoranca. Por mbi të gjitha në kundërshtim me kryeministrin, ai e drejtoi gishtin mbi të gjithë klasën politike që e ka “bërë baltën mullar”, ndërsa zgjidhjen e këshilloi në hapësira larg pozicioneve që palët kanë mbajtur deri tani.

Kthim në identitetin e PS-së

Fjalimi i ish-ministrit të Jashtëm, që pritej me një farë kërshërie, meqë ishte dalja e parë publike pas fshesës së zv/ministrit Gent Cakaj në shërbimin diplomatik, u përshkrua në pjesën më të madhe nga ideja se PS-ja duhet t’i kthehet modelit socialist dhe progresist të partisë, si për të evidentuar më shumë nevojën për distancim nga modeli i “Rilindjes”, aq shumë i diskutuar. “Ne jemi PSSH-ja, ne jemi socialistë, demokratë progresistë”, tha Bushati, i cili para pak kohësh i pyetur a është rilindës apo socialist, u përgjigj: “Jo, jo, unë jam socialist”. Po kaq e kërkuar ishte përmendja prej tij e tre socialistëve, Gramoz Ruçit, Pandeli Majkos dhe Musa Ulqinit, të tre të njohur si “senatorë” në këtë parti, por prej vitesh pa ndonjë rol të madh në vendimmarrjen e selisë rozë. “Unë sot pyes: Si ka mundësi z. Ruçi që pas tri dekadash si politikan me eksperiencë, si ka mundësi z. Ulqini, si ka mundësi z. Majko? Pse kur grekët e maqedonasit e gjekërkan gjuhën për të parë përpara, ne nuk paskemi mundësi ta gjejmë gjuhën me njëri-tjetrin”.

Zgjidhje me moderacion

Edhe pse për djegien e mandateve nga opozita, Bushati ishte në linjën e qeverisë kur tha se ky është një precedent i ri, jo vetëm për demokracitë e reja në Europën Qendrore dhe Lindore, por edhe për vende me regjime despotike, siç është rasti i Venezuelës, për rrugët e zgjidhjes së krizës, ai me anë të pyetjeve naive në dukje, përcolli nevojën e një zgjidhjeje tej fanellave partiake. “A jemi të gjithë shqiptarë, a jemi pjesë e një kombi? Pse e kemi kaq të vështirë dhe turpërojmë veten tonë lart e poshtë. Pse nuk e gjejmë dot ne gjuhën për të parë përpara?”. Pjesa e drejtpërdrejtë e fjalës së ish-ministrit të Ramës ishte kur ai i sugjeroi mazhorancës që të mos jetë arrogante dhe të mos harxhojë orë të tëra me protestat e opozitës. Në këtë sens, ai bëri dallimin mes opozitës parlamentare dhe opozitës politike, duke argumentuar ndryshe nga zyrtarët e tjerë të majtë që i kanë konsideruar deputetë zëvendësues si opozita e vërtetë.

Përgjigjja për Gent Cakajn

“Shërbimin e jashtëm shqiptar dhe Forcat e Armatosura janë ndër të paktat pasuri që nuk e shkatërroi asnjë regjim”, do të thoshte dje Bushati, ndërsa kuptohej se po i referohej asaj çka po ndodhte së fundi në Ministrinë e Jashtme, ku pasardhësi i tij, Gent Cakaj, ka ndërmarrë një valë shkarkimesh. Ai shfrytëzoi 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe 10-vjetorin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në, për të thënë se këto dy shërbime nuk duhet të vihen kurrë në pikëpyetje. “Unë nuk jam mbrojtës assesi i status quo-së, nuk jam as partizan i nostalgjive të dikurshme, por aty ka burra e gra, të cilët kanë punuar me përkushtim për Shqipërinë anëtare të NATO-s.”

Pikë tjetër e fjalës së Bushatit që kontrastonte me mazhorancën ishte kritika për të gjithë klasën politike për tranzicionin e gjatë. Nëse nga kryeministri shumicën e kohës flitet për ndryshim 180 gradë të gjendjes së vendit pas ardhjes në pushtet të tij më 2013-n dhe për reforma të kryera apo në proces, Bushati dje tha: “Ne jemi këtu ku jemi. Duhet ta mbyllim tranzicionin vetëm kur të përkojë me reformat, të cilat e afrojnë vendin me Bashkimin Europian”.

Pakënaqësia e shkarkimit

Ditmir Bushati ishte ndër të paktët ministra të qeverisë “Rama”, që në opinionin mediatik dukej si i sigurt në qeverisjen e tij. Avancimi i “Dosjes greke” me problematikat delikate të çështjes çame dhe pakti për kufirin detar, por edhe ndarja e formatit të politikanit nga diplomati kishin krijuar përshtypjen e vijimësisë se politika e jashtme të paktën ishte në duar të një teknicieni të aftë. Por kriza e studentëve që tronditi qeverinë u shfrytëzua nga kryeministri, ndër të tjera për t’u çliruar nga tipi i ministrave Bushati, që me qëndrimet e tyre kishin krijuar një lloj pavarësie nga linja kryeministrore. Shembulli më i dukshëm ishte çështja e Kosovës, kur Rama dhe Bushati ndanin pikëpamje të kundërta. Pakënaqësia erdhi dhe u bë publike kur presidenti Meta, duke mos e dekretuar Cakajn si ministër, la ministër të Jashtëm Ditmir Bushatin, i cili, nga ana e tij, nuk e pa të udhës të ndërmerrte një akt dorëheqjeje, ndërsa vetëm një dekret i ri presidencial do ta sillte zëvendësimin e tij. Dekreti i ri ishte emërimi i kryeministrit si shef i diplomacisë shqiptare, pasi për shkarkimin e Bushatit u votua në Kuvend me 77 vota pro, ndër to edhe i vetë ministrit, dhe një abstenim. Edhe pse Bushati kishte ngritur kartonin në Kuvend për të votuar pro shkarkimit të tij, i gjithë ngërçi institucional i krijuar dhe ngurrimi i tij apo mosmarrje në konsideratë e dorëheqjes, lexohej si një krisje e marrëdhënies mes tij dhe kryeministrit Rama. “Nuk mendoj se jam shkarkuar, jam liruar nga detyra si një pjesë e mirë e kolegëve. Arsyet i ka thënë dhe kryeministri”, do të komentonte më vonë ish-ministri. Në fjalën e lamtumirës, teksa i dorëzonte detyrën ministrit për Europën dhe Punëve të Jashtme Edi Ramës, Bushati do të thoshte se “nuk ka garanci se ajo çfarë kemi përpara do të jetë më e mirë a më e lehtë se ajo çfarë po lëmë pas”, duke ironizuar kështu zgjedhjen e Cakajt në krye të diplomacisë shqiptare.

Po kështu është i njohur atashimi i Bushatit në grupin e ish-ministrave dhe ministrave si Gjiknuri, Beqaj, Ahmetaj, Çuçi dhe Klosi, që qëndrojnë në PS përkundër fluksit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt, dhe ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Fjala e djeshme në Kuvend e ish-ministrit të Jashtëm, si qasje alternative nga ajo e Ramës, së pari ndaj krizës politike pastaj, ndoshta, dhe për modelin e partisë, mund të ngelet një përpjekje e ndrojtur ose mund të vijë duke u përforcuar. Kjo varet nga guximi dhe planet politike që ka bërë ish-ministri i Jashtëm. /Gazeta Liberale/

Login to post comments