Rektori Koni, Letër e Hapur drejtuar pedagogëve, studentëve dhe ... Ramës

E Enjte, 04 Prill 2019 14:14

Pas deklaratave të kryeministrit Rama, i cili ka kërkuar shkarkimin e Rektorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni, pasi sipas kryeministrit nuk po bashkëpunon në të mirë të universitetit, ky i fundit i është përgjigjur shefit të qeverisë me një letër të hapur.

Rektori shprehet se akuzat e kryeministrit janë të pa baza, sipas Rektorit Koni e vërtëta e këtyre sulmeve lidhet me faktin se ka kërkuar kontrollin titujve shkencorë të pedagogëve por duket se kjo nuk i pëlqen kryeministrit.

Letër e hapur drejtuar pedagogëve dhe studentëve të Universitetit të Tiranës

Si dhe mbarë opinionin publik

Lidhur me akuzat dhe sulmet e vazhdueshme, tendencioze, të paprecedente të Kryeministrit, z.Edi Rama, ndaj personit tim, në cilësinë e Rektorit të Universitetit të Tiranës, ndjej detyrim moral të sqaroj nëpërmjet kësaj letre të hapur të gjithë pedagogët dhe studentët e Universitetit të Tiranës dhe mbarë opinionin publik, sesa bazë kanë këto akuza dhe sesi qëndron në fakt e vërteta.

Kur dëgjon dhe sheh Kryeministrin në takime me lista të porositura të personave që duhet të marrin pjesë në to dhe me pyetje të parapërgatitura nga stafi i tij, dhe që në mënyrë të vazhdueshme, merret, fyen dhe përpiqet të fajësojë për çdo gjë dhe në çdo drejtim vetëm Rektorin e Universitetit të Tiranës, vetvetiu të lind pyetja:

Cili është në fakt qëllimi që, në një kohë kur Shqipëria ka 12 universitete publike, sulmohet në mënyrë kaq tendecioze, të parreshtur, pa u mbështetur në asnjë fakt dhe në asnjë provë konkrete vetëm Rektori i Universitetit të Tiranës?....Si është në fakt e vërteta?????

Dhe ja si qëndron në fakt e vërteta:

Në lidhje me kontrollin antiplagjiaturë të dizertacioneve për fitimin e gradave apo titujve shkencore:

Megjithëse kam rezervat e mia në lidhje me VKM nr.777 datë 26.12.2018 “Për kontrollinantiplagjiaturë të dizertacioneve për fitimin e gradave shkencore” dhe zbatimin e tij, në cilësinë e Rektorit të UT, i’u kam kërkuar në rrugë zyrtare të gjitha njësive kryesore (fakultete/institute) të UT-së, të përcillnin listën e personave që kanë mbrojtur disertacionin dhe kanë fituar grada ose tituj shkencorë të barazvlefshëm me to (kërkues dhebashkëpunëtor i vjetër shkencor, etj) që nga viti më i hershëm që dispononin, duke përcaktuar edhe afatin kohor (data 11 Mars 2019). Përjashtuar Dekanin e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, asnjë nga dekanët e fakulteteve të tjera të UT-së, deri më tani, nuk kanë përcjëllë asnjë informacion në lidhje me çfarë ju është kërkuar.

Pra, kush e pengon zbatimine VKM -së???? …Rektori i UT apo dekanët, të cilët, siç edhe duhet t’i keni parë, janë gjithmonë në rreshtin e parë në takimet e zhvilluara nga Kryeministri dhe dëgjojnë akuzat e tij ndaj Rektorit dhe sigurisht as nuk reagojnë por vazhdojnë dhe nuk zbatojnë detyrimet e tyre ligjore si drejtues të njësive kryesore që i kanë zgjedhur ….duke u bërë pengesë për çdo gjë dhe ndaj çdo gjëje.

Në lidhje me plagjiaturat:

Nga Kuvendi i Shqipërisë, kanë ardhur disa kërkesa për verifikimin e akuzave për plagjiaturë për disa pedagogë të Fakultetit të Ekonomisë, apo për të tjerë që kanë mbrojtur gradën e tyre shkencore në fakultete të tjera të Universitetit të Tiranës, për të cilët, në mënyrë të menjëhershme, në zbatim të detyrimeve ligjore, i kam kërkuar Dekanit të Fakultetit të Ekonomisë, të fillonjë procedurat ligjore të verifikimit, por në asnjë rast nga ky fakultet, nuk ka ardhur asnjë përgjigje.

Për këtë, kam bërë me dije edhe Kuvendin e Shqipërisë.

Dhe për këtë e ka fajin Rektori i UT ??????

Biblioteka elektronike

Biblioteka Elektronike, do të impelementohet nga Qendra Ndërinstitucionale Rrjeti Akademik Shqiptar (RASH). Ky i fundit ka kërkuar nga Universiteti i Tiranës përcjelljen e listave të studentëve, të pedagogëve dhe të personave të tjerë të universitetit që merren me kërkim/mësimdhënie, të shoqëruara me nr. matrikullimi, nr. personal (ID), email, etj. Nuk e kam penguar, por përkundrazi e kam mirëadministruar këtë proces. Për të garantuar mbrojtjen e të dhënave personale të studentëve por edhe të stafit të Universitetit të Tiranës, kam mbajtur korrespondencë me Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe me RASH. Së fundmi, kam kërkuar nga të gjitha Fakultetet e UT të përcjellin sa më parë listat e studentëve dhe të stafit që do të aktivizohen në këtë platformë, duke respektuar nenin 6 të ligjit nr. 9887 datë 10.03.2008 i ndryshuar “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe Kreut IV pika 3 të Udhëzimit nr. 7 datë 09.06.2010 “Për përpunimin e të dhënave personale në IAL, ndryshuar me Udhëzimin nr. 27 datë 27.12.2012”.

Të nderuar studentë dhe kolegë,

Implementimi i Bibliotekës Elektronike nuk ka lidhje me sistemin informatik të UT-së. Biblioteka Elektronike do të impelementohet nga RASH, ku secili përdorues do të ketë llogarinë e tij personale. Megjithëse, shpreh keqardhjen për mosfunksionimin prej kaq kohësh të sistemit informatikpër shkak të bllokimit të qëllimshëm të tij nga ana e ish-Kancelarit dhe e Administratorit, të cilët edhe pas kërkesave të mia të njëasnjëshme, nuk i filluan procedurat e tenderimit për mirëmbajtjen e këtij sistemi. Kontrata për mirëmbajtjen e sistemit informatik ka përfunduar që në muajin korrik 2017, dhe ka qënë dhe është vetëm përgjegjësia ish-Kancelarit dhe e Administratorit të cilët nuk kanë kryer procedurat e prokurimit përkatëse.

Rikonstruksioni i godinave të Fakultetit të Ekonomisë

Në buxhetin e vitit 2018 ka qenë parashikuar një zë i veçantë për “Rikonstuksione ndërtimore (sipas objeketeve dhe fakulteteve të UT)”. Megjithësë i jam drejtuar me kërkesa të vazhdueshme Administratorit, ky i fundit nuk filloi asnjë procedurë prokurimi që lidhej me rikonstruksionet e gadinave të fakulteteve të UT, veçanërisht për rikonstruksionin e Fakultetit të Ekonomisë. Për këtë mungesë përgjegjësie të Administratorit i jam drejtuar disa herë zyrtarisht Bordit të Administrimit. Nga ana e këtij të fundit, si gjithmonë, nuk ka patur asnjë reagim apo veprim në përmbushje të misionit për të cilin janë zgjedhur.

Edhe për moszhvillimin e procedurave të prokurimit për rikonstruksioni i godinave të Fakultetit të Ekonomisë e ka fajin Rektori???

Pakti për Universitetin

Duke e konsideruar një proces shumë të rëndësishëm implementimin me sukses të “Draftpaktit për Universitetin” për Universitetin e Tiranës, që në muajin janar 2019 j’ua kam përcjellë fakulteteve, me qëllim konsultimin e tij në të gjitha njësitë bazë dhe strukturat e fakultetit, duke kërkuar plotësimin e mëtejshëm sipas nevojave të tyre të “Draftpaktit për Universitetin”, të cilat më pas do t’i përcilleshin MASR-së.

Ndonëse afati i vendosur për paraqitjen e mendimeve dhe sugjerimeve ishte data 15 Shkurt 2019, mendimet dhe sugjerimet si gjithmonë nuk erdhën as nga Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, as nga Dekani i Fakulteti i Drejtësisë dhe as nga Dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.

Raporti i vitit 2018 i mbajtur nga një grup pune i MASR.

Në Universitetin e Tiranës nuk ka patur auditim nga ana e Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë. Në mënyrë të vazhdueshme e kam kërkuar publikisht, dhe gjej rastin sot, ta artikuloj përsëri, se kërkoj auditim të Universitetit të Tiranës për 10 vitet e fundit.Pse nuk bëhet auditim në Universitetin e Tiranës? …..Kush është arsyeja e vërtetë? ….Kush e pengon atë të bëhet?????

Raporti i MASR që citohet e citohet nga të gjithë dhe kudo, nuk është raport auditimi por Raporti i një grupi pune të MASR, i fabrikuar në shkelje flagrante të parimit të ligjshmërisë, të paanësisë dhe të objektivitetit, me qëllimin e vetëm për të legjitimuar veprimet dhe mosveprimet e ish-Kancelarit, Bordit të Administrimit dhe Administratorit të UT (veprime me përmbajtje penale të cilat i kam kallëzuar në prokurori që prej muajit gusht 2017 e në vazhdim).Ndërkohë që, në mashtrim të fakteve dhe në spekullim me ligjin, ky grup pune (tre prej të cilëve, edhe në konflikt të hapur interesi për shkak të emërimit të tyre si përfaqësues të MASR në Borde Administrimi të Universiteteve të tjera publike në vend) ka denigruar figurën time duke ngarkuar me përgjegjësi ligjore të paqëna veprimet mia, ligjshmëria dhe vlefshmëria e të cilave, janë të konfirmuara tashmë në rrugë gjyqsore nga Gjykatat përkatëse. Shumë shpejt, hartuesit dhe skenaristët e këtij raporti do të japin llogari dhe do të mbajnë përgjegjësi.

Mbështetja që MASR u ka dhënë këtyre strukturave dhe ish-kastës drejtuese të UT, u konfirmua hapur edhe me “qokën”më të fundit që bëri ish-Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë ditën para se të linte detyrën, duke miratuar Statutin e UT-së me shkelje ligjore, për të cilat vetë ajo i kishte konstatuar dhe i kishte përcjellë në UT për rishikim.

Në lidhje me punësimet në Universitetin e Tiranës:

Tre nga dekanët e fakulteteve të Universitetit të Tiranës, konkretisht: Dhori Kule, Artan Hoxha dhe Artur Sula, në shkelje flagrante të ligjit të arsimit të lartë 80/2015 (shiko nenin 64, pika 1); në shkelje flagrante të Statutit të UT (shiko nenin 67, 80) dhe në shkelje flagrante të Rregullores të UT (shiko neni 25), shpallin vende pune dhe kërkojnë të kryejnë procedura të paligjshme rekrutimesh të personelit akademik dhe ndihmës akademik në njësitë kryesore që ata drejtojnë.

Për këto procedura të paligjshme është fjala kurakuzohem se “…. Rektori ka penguar rekutimet apo punësimet në UT ????”

Ashtu sikurse, në mënyrë tëpërsëritur kam shprehur zyrtarisht qëndrimin tim në lidhje me procedurat e paligjshme të ndërrmarra nga këto dekanë, duke kërkuar në mënyrë të përsëritur prej tyre t’i ndërprisnin këto procedura dhe të zbatonin ligjin, gjej rastin të deklaroj edhe një herë së në asnjë rast dhe për asnjë arsye, nuk do të jem pjesë e këtyre procedurave të paligjshme.

Pra lehtësisht është e kuptueshme se kush e pengon në fakt rekrutimin e personelit në këto fakultete... Pse në fakultetet e tjera të UT-së, rekrutohen dhe punësohen në mënyrë të vazhdueshme, me procedura të rregullta, në zbatim të ligjit, personel akademik dhe ndihmës akademik, sipas nevojave konkrete të tyre?

Dekanët, Dhori Kule, Artan Hoxha dhe Artur Sula, në mbështetje të hapur nga MASR, shkelin ligjin, e tjetërsojnë atë, dhe në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme, shpikin, sajojnë, tjetërsojnë të vërtetën, siç duket qartë edhe nga takimet e tyre të fundit me Kryeministrin e vendit.

Në vitet e mia si Rektor i UT, disa herë kam kërkuar takim me Kryeministrin, për të sqaruar situatën dhe të vërtetën në UT, por në të gjitha rastet, nuk ka patur as mundësi dhe as kohë, …..kur në të njëjtën kohë, shikohet në mënyrë permanente të organizojë takime me këta dekanë fakultetesh, apo me ministrat e qeverisë së tij… dhe në asnjë rast nuk ftohet dhe nuk është Rektori …..A e di Kryeministri se Rektori është titullari i institucionit? ….A e di Kryeministri që institucioni është Universiteti i Tiranës dhe jo fakultetet në përbërje të tij ???… .. A ndodh kjo në botën e qytetëruar apo në Europën ku ky Kryeministër kërkon të na çojë????...... Në fakt nuk ndodh, dhe nuk ka sesi të ndodhë….

Ja pra pse Dekanët, shkelin hapur ligjin, nuk pranojnë të zbatojnë asnjë procedurë ligjore, nuk përcjellin asnjë informacion,… dhe arsyeja është shumë e qartë, sepse në të gjitha rastet mbështeten hapur nga MASR dhe sic u kuptua tashmë, edhe nga Kryeministri i vendit.

Të vjen çudi, kur dëgjon Kryeministrin e vendit, me kaq shumë probleme dhe halle që ka ky vend, të artikulojë fjali dhe akuza të njëjta me ato të këtyre tre dekanëve? …. dhe të lind pyeta: ……Kush e ka mësuar tjetrin???... Kush mbron tjetrin dhe për çfarë arsyeje???

Një provë tjetër që këto tre dekanë kanë mbështetje të hapur nga Ministrja e Arsimit, është edhe rasti i fundit në lidhje me zgjedhjen e komisonit të përhershëm në nivel njësie kryesore për promovimin egradës shkencore “Doktor”.

Në zbatim të detyrimeve dhe kompetencave ligjore, si dhe në zbatim të Statutit të Universitetit të Tiranës, me Urdhërin e Brendshëm nr.3 datë 04.03.2019 të Rektorit të UT-së, “Për fillimin e procesit zgjedhor dhe përcaktimin e datës për zhvillimin e zgjedhjeve për disa autoritete dhe organe drejtuese në Universitetin e Tiranës”, urdhërova fillimin e proçesit zgjedhor për disa autoritete dhe organe drejtuese në Universitetin e Tiranës, duke specifikuar konkretisht 4(katër) autoritet drejtuese të njësive bazë si dhe organin drejtues, Komisionin e përhershëm për dhënien e gradës shkencore “Doktor” në çdo njësi kryesore të Universitetit të Tiranës dhe duke përcaktuar edhe datën 8 Prill 2019 si data e zhvillimit të këtyre zgjedhjeve.

Në zbatim të Rregullores“Për organizimin e zgjedhjeve të para për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, e miratuar nga Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, me nr.prot.2459/1 datë 15.03.2016, ky Urdhër ju përcoll edhe Komisionit Institucional të Zgjedhjeve të UT-së ( KIZ), si organi që drejton dhe kontrollon të gjithë procesin zgjedhor, e përcaktuar kjo në nenin 6, pika 2/b të Rregullores të sipërcituar.

Komisioni Institucional i Zgjedhjeve (KIZ) i UT-së, është shprehur se nuk zbaton Urdhërin e Rektorit në lidhje me fillimine procesit zgjedhor për Komisionin e përhershëm për dhënien e gradës shkencore “Doktor” në çdo njësi kryesore të Universitetit të Tiranës.

Për këtë arsye, si autoriteti që ka miratuar Rregulloren e Zgjedhjeve, i kam kërkuar në mënyrë të përsëritur qëndrimin institucional dhe ndërhyrjen e Ministres se Arsimit për qartësimin e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve të UT-së, në mënyrë që procesi për krijimin e komisionit të përhershëm për dhënien e gradës shkencore “Doktor” në çdo njësi kryesore të Universitetit të Tiranës, të vazhdonte normalisht, duke përmbyllur në këtë mënyrë këtë proces mjaft të rëndësishëm për UT, sipas përcaktimeve dhe kërkesave ligjore si dhe akteve nënligjore në fuqi.

Por sigurisht edhe në këtë rast, Ministrja e Arsimit nuk kthen asnjë përgjigje…..

Dhe çfarë ndodh nga ana tjetër?... Dhori Kule, Artur Sula, në shkelje të hapur të Rregullores së Zgjedhjeve, i krijojnë vetë këto komisione, që në fakt janë të paligjshme dhe jolegjitime.

Prandaj dhe Ministrja e Arsimit nuk kthen përgjigje dhe nuk shpreh qëndrimin e saj institucional në lidhje me këtë çështje kaq të rëndësishme për UT.

Edhe këtë procedurë e ka penguar Rektori i UT-së??????

Në lidhje me krijimin e Komisionit të përhershëm në nivel institucioni për promovimin e titujve akademikë(Komision mjaft i rëndësishëm ky për cilësinë e universitetit dhe punën kërkimore shkencore, për të cilën po flitet aq shumë).

Pasi u hap thirrja e aplikimeve për këtë komision dhe u kryen të gjitha procedurat ligjore, çfarë ndodh??? …. Ndodh që anëtarët e Senatit Akademik, përfaqësues të fakulteteve që drejtojnë pikërisht këta dekanë, nuk vijnë fare në mbledhjen e caktuar të Senatit Akademik, i cili ka për kompetencë miratimin e këtij komisioni,duke penguar hapur në këtë mënyrë moskrijimin e Komisionit të përhershëm në nivel institucioni për promovimin e titujve akademikë.

Edhe këtë procedurë e ka penguar Rektori i UT-së ??????

Të nderuar pedagogë , studentë të UT-së apo dhe çdokush që është i interesuar,

Dua t’ju sqaroj se, që nga marrja e detyrës time si Rektor i Universitetit të Tiranës, në muajin Maj 2016 dhe në vazhdim, në çdo ditë të punës time në këtë detyrë, në mënyrë të vazhdueshme, jam sulmuar në mënyrë permanente, të paprecedente, të padëgjuar ndoshta ndonjëherë, jo vetëm nga MASR por edhe nga shumë institucione të shtetit dhe, shpeshherë, në të njëjtën kohë nga disa prej tyre.

Nuk mund të shmanget përgjegjësia për mosplotësimin e pikave të Paktit për Universitetin, duke tentuar të devijosh indinjatën e studentëve dhe të pedagogëve nga Qeveria tek Rektori i Universitetit të Tiranës.

Së fundmi, dua t’ju garantoj të gjithëve se do të vazhdoj të jem i palëkundur në mbrojtje të Universitetit të Tiranës, të interesave të tij, të interesave të personelit dhe të studentëve që kanë zgjedhur të punojnë dhe studjojnë në këtë universitet; të mbroj vlerat e pakrahasueshme të UT-së, si intitucioni më i rëndësishëm i arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë.

Dhe për këtë, kërkoj mbështetjen dhe mirëkuptimin tuaj të nderuar kolegë, që keni derdhur mundin dhe djersën tuaj për të; jeni rritur në moshë dhe profesionalisht bashkë me të; pavarësisht disa sharlatanëve, që nuk ndalen para asgjëje se për ta nuk ka asnjë vlerë dhe rëndësi, përveç interesit të tyre personal.

Kërkoj mirëkuptimin e studentëve të Univerisitetit të Tiranës, që kanë besuar për tu edukuar dhe formuar në këtë institucion, të vazhdojnë ta bëjnë atë, pavarësisht vështirësive dhe pengesave që mund të hasin ata, sepse vetëm së bashku mund t’i kalojmë; kërkoj të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre për arsimim cilësor dhe të denoncojnë me forcë çdo sjellje apo rast korrupsioni që mund të hasin dhe shohin në auditore apo edhe më gjerë në ambjentet e UT-së, sepse vetëm në këtë mënyrë, Universiteti i Tiranës do të vazhdojë të jetë ai institucion që vazhdon e vazhdon prej dekadash të kërkohet nga studentët më të mirë dhe nga pedagogët më cilësorë.

Ju faleminderit,

Login to post comments