Ish-deputeti demokrat Oerd Bylykbashi akuzon maxorancën se sabotoi dy herë reformën zgjedhore në tetor dhe dhjetor të vitit të kaluar. Pas thirrjeve të fundit nga maxhoranca për opozitën për të kontribuuar për reformën zgjedhore, Bylykbashi tha në studion e News24, në rubrikën “Opinion” se maxhoranca i hoqi shanset për një marrëveshje.
“Është goxha e vonuar në këtë vullnet të rilindur për reformën zgjedhore. Kishte mundësinë të mos e sabotonte siç bëri në tetor dhe në dhjetor. Ne po punonin drejt një konkluzioni teknik, dy herë solli drafte të njëanshme duke shkatërruar vullnetin politik. Hoqi shanset për një marrëveshje”, tha ai.
Bylykbashi kujtoi edhe darkën e famshme te “Krokodili” dhe ofertën e ish-kryeministrit Berisha për Edi Ramën, atëherë kreu i opozitës. Ai e quajti retorikë bajate qëndrimin e maxhorancës sot karshi opozitës.
“Është retorikë bajate. Kur Sali Berisha i ofronte këtë në 2010 Edi Ramës dhe ai nuk e pranonte, kur i thoshte në darkën e famshme të krokodilit që bëj gjithçka sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR, ai nuk e pranonte. Në fund ashtu u bë por zgjati. Ishte një ofertë bujare dhe e vërtetë. Bënë propozime i mbështetëm, i miratuam së bashku”, tha Bylykbashi.
Nuk munguan akuzat e tij për maxhorancën për çështjes e drejtësisë, dosjen 184 dhe politizimin e administratës.
“Shteti është i kapur nga PS që është sot në pushtet. Cila është ajo forcë opozitare që konkurron dhe fiton ndaj shtetit të kapur?”, tha Bylykbashi.