Shqipëria, 10 vjet anëtare e Aleancës 70-vjeçare të lirisë

E Enjte, 04 Prill 2019 18:43

DR. ARIAN STAROVA GJENERAL PIRO AHMETAJ

4 prilli i këtij viti shënon shtatëdhjetëvjetorin e themelimit të NATO-s. Në faqen zyrtare të NATO-s, [https:// en.wikipedia.org/wiki/Member_states _of_NATO], dita e pranimit të Republikës së Shqipërisë dhe Kroacisë është e përcaktuar 1 prilli 2009. Por për ta “zbukuruar” edhe më shumë, për kremtimin kësaj ngjarjeje të madhe, është gjetur një “zgjidhje e mençur”, duke e bashkuar me atë të Aleancës [4 prillin]. Pra, 4 prilli 2019, është edhe dhjetëvjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në këtë Aleancë politike dhe ushtarake me rëndësi të jashtëzakonshme për paqen, sigurinë, lirinë dhe vlerat e demokracisë në hapësirën euroatlantike.

* * * Kur shtatëdhjetë vjet më parë, strategu i Luftës së Dytë Botërore, “Babai Themelues”, Gjenerali-Komandant i parë i NATO-s dhe Presidenti i SHBA, Dwight D. Eisenhower, e projektoi Aleancën e Atlantikut të Veriut si “një instrument politiko-ushtarak për garantimin e tërësisë territoriale të vendeve anëtarë” në rrethanat e rrezikut të një sulmi të mundshëm nga Bashkimi Sovjetik komunist, ai nuk e ka ditur se kishte parashtruar idenë madhore të aleancës më të fuqishme dhe me të suksesshme në historinë e njerëzimit në mbrojtje të paqes, lirisë dhe demokracisë ndërkombëtare.

* * *

Sot, pas shtatëdhjetë vjetëve, NATO, jo vetëm ka përmbushur misionin e saj të ruajtjes së paprekshmërisë tokësore dhe të sovranitetit të vendeve anëtarë, por ka shërbyer edhe si një mekanizëm i suksesshëm për bashkëpunimin botëror për paqen dhe sigurinë. Partneritetet e NATO-s me vendet e ndryshme të botës shtrihen prej Perëndimit në Lindje dhe prej veriut në jug, në të gjithë rruzullin tokësor.

2e539028-a9b0-4922-94f5-58e1b8ba8337

* * *

Zhvillimet e paparashikueshëm të periudhës së pasviteve 1990 në mjedisin ndërkombëtar të sigurisë, edhe pas zhdukjes së rrezikut komunist, krijuan kushtet që NATO të ngrejë ambiciet dhe veprimtarinë e saj në një rrafsh të ri të më lartë, duke mbizotëruar si një “model suksesi” për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare. NATO e kreu këtë rol të ri të saj nëpërmjet një procesi tërësor të shndërrimit të strategjisë, koncepteve, strukturave, infrastrukturës, planifikimit, modernizimit, bashkëpunimit me vendet anëtarë dhe joanëtarë, etj. NATO “mbijetoi” me sukses, sepse diti si të përshtatet me mjedisin e ndryshuar të sigurisë botërore.

* * *

Një ndër projektet themelore të këtij suksesi është politika e saj e “Dyerve të Hapura” (Open Door Policy), e cila ka shërbyer si një mekanizëm për demokratizimin dhe garanci e shtuar për integrimin në Bashkimin Europian të vendeve ish-komuniste të Lindjes. Në shtatëdhjetë vjet, NATO është zgjeruar shtatë herë, prej të cilave katër herë pas vitit 1990, kur siç u shpreh para pak ditësh sekretari i Përgjithshëm, Stoltenberg: “Komunizmit iu shemb toka nën këmbë”. Sot, NATO përbëhet nga njëzet e nëntë vende anëtarë dhe shumë shpejt anëtari i tridhjetë do të jetë Maqedonia e Veriut, e cila është në përfundim të procesit të saj të anëtarësimit.

* * *

Në hapësirën e vendeve të NATO-s jeton një popullsi rreth një miliard banorë, kurse ekonomia e të gjithë këtyre vendeve përbën rreth gjysmën e ekonomisë botërore. Forca e armatosur e vendeve të NATO-s arrin në rreth shtatë milionë e gjysmë njerëz, prej së cilës rreth tre milionë e gjysmë janë forcë aktive, kurse po aq të tjerë janë forcë rezervë. Nga ana e fuqisë ushtarake, tri vende anëtare si SHBA, Franca dhe Britania e Madhe zotërojnë armë bërthamore në dobi të politikës të moslejimit të përshkallëzimit të konflikteve [deterrence].

ea623ade-c0c9-4b9b-aa93-93367d995981

* * *

Historitë e veprimeve të suksesshme të historisë së kaluar të afërt të NATO-s në Kosovë, Afganistan, Irak, Libi, Mesdhe, etj. janë shembuj të fuqishëm të rolit të saj madhor në dobi të paqes dhe sigurisë së të gjithë botës si organizata më e fuqishme ushtarake e historisë, “roje dhe shpresë e sigurisë” së vlerave të lirisë dhe të paqes.

* * *

Në ditët e sotme, kur janë ringjallur ambiciet gjeopolitike dhe sjellja strategjike shpërfillëse e Rusisë ndaj normave ndërkombëtare ku spikat aneksimi që ajo i bëri Krimesë disa vjet më parë (2014), NATO po luan përsëri një rol madhor në mbrojtje të paqes dhe të sigurisë europiane dhe botërore. Ajo ka krijuar një forcë ushtarake të ndërhyrjes së shpejtë me rreth dyzet mijë njerëz, të cilat janë vendosur në Vendet Baltike, Europën Qendrore dhe Juglindore. Prej tyre, rreth pesë mijë njerëz përbëjnë atë çka quhet Forca e Gatishmërisë Shumë të Lartë. Shpenzimet e përgjithshme të mbrojtjes se vendeve të NATO-s, kanë kapur shifrën rekord të më se 980 miliard USD. Kur flasim për rolin kritik të NATO-s, është diçka tejet e rëndësishme që të mbajmë parasysh rolin jetik të SHBA-ve brenda kësaj aleance si dhe të shprehim mirënjohje të thellë për të. Shtatëdhjetë vjet e kanë provuar katërçipërisht rolin jetik të SHBA-së në Aleancën e Atlantikut të Veriut. SHBA mban barrën kryesore të shpenzimeve ushtarake me rreth 740 miliardë USD (vitin 2019) ose më shumë se shtatëdhjetë për qind të buxhetit të NATO-s. Në fund të fundit, si vend udhëheqës demokratik i botës, SHBA e përmban në themelet e tij kushtetuese përpjekjen për forcimin e paqes dhe të lirisë ndërkombëtare. Thirrjet dhe trysnia pozitive, që Presidenca Trump ka ushtruar ndaj vendeve të tjerë anëtarë të NATO-s për të shtuar shpenzimet e tyre ushtarake, nuk tregon aspak për ndonjë “lodhje apo tërheqje” të SHBA-së nga ky rol brenda kësaj aleance. Përkundrazi, duke e vlerësuar më së miri rolin ndërkombëtar të NATO-s, SHBA synon që të rritet më shumë fuqia e saj në rrethanat e një sistemi ndërkombëtar i sigurisë mbetet ende i brishtë për t’u përballur me rreziqe të paparashikueshme. Me gjithë “kundërshtitë për qasjen” dy vitet e fundit, buxheti nga vendet e NATO-s është rritur në total me rreth 100 miliardë USD, që flet qartë për vlerësimin e drejtësisë së mendimit të Presidencës Trump.

* * *

Anëtarësi i RSH ka qenë ndër arritjet si produkt i konsensusit politik të gjerë të gjitha forcave politike dhe mbështetjes së jashtëzakonshme mbarëpopullore. Por për “t’i dhënë Çezarit atë që i takon Çezarit”, do të ishte “e padrejtë” që në rastet e përvjetorëve të mos përmendim rolin, vizionin, përkushtimin dhe vendosmërinë e ish-Presidentit Berisha që nga kërkesa zyrtare për t’iu bashkuar aleancës në vitin 1992, si dhe përgjatë gjithë udhëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në NATO.

* * *

Në këtë udhëtim dhjetëvjeçar si anëtare e Aleancës Atlantiko-Veriore, Shqipëria u shndërrua nga një vend që kishte probleme të sigurinë [konsumator] në një vend që luante rol të ndjeshëm për sigurinë dhe qëndrueshmërinë rajonale dhe ndërkombëtare. Prej vitit 1996, në operacionet në Bosnjë, Irak, Afganistan, Kosovë, Gjeorgji, Ukrainë, Mali, etj., kanë marrë pjesë rreth 8000 ushtarakë, kurse në krahasim me popullsinë ky rol ka qenë shumë i spikatur dhe i shumëvlerësuar. Shqipëria ka qenë aktore modeste, por e vendosur dhe e përkushtuar për jetësimin e nismave dhe projekteve të rëndësishëm strategjikë të SHBA dhe të vetë NATO-s për ta çliruar përfundimisht Ballkanin prej traditës së përgjakshme të konfliktit. * * * Në këto ditë përkujtimore dhe festive, duhet të kujtojmë dhe nderojmë përherë atë çka kanë bërë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO aktorë të tillë të rëndësishëm politikë dhe ushtarakë si Presidenti George Bush; Sekretaret e Shtetit Baker, Allbright, Powell, Rice, ata të Mbrojtjes si Perry, Rumsfeld, Gate, etj., si edhe gjeneralët e mirënjohur Clark, Stavridis, Petraus, Mattis, etj., për mbështetjen e jashtëzakonshme për përmbushjen e aspiratës së Shqiptarëve.

* * *

Përtej krenarisë legjitime për këtë arritje historike, mbetet e përhershme detyra e të bërit gjithnjë dhe më shumë, për ta bërë Shqipërinë një anëtare e denjë dhe e përkushtuar e kësaj Aleance. Respekti për të vërtetën kërkon që përtej festimeve, edhe në raste të përvjetorëve, të thuhet diçka edhe për çfarë duhet bërë më mirë…!

* * *

Mjedisi sigurisë dhe rreziqet ndaj sigurisë ndryshojnë në mënyrë të paparashikuar. Kështu, edhe reformat e mbrojtjes të vendeve NATO-s janë në transformim të pandërprerë. Edhe për Shqipërinë, anëtarësimi nuk ishte dhe as është stacion i fundit, por një fazë e re, me përfitime [si shembull projekti i NATO-s për bazën e Kuçovës], detyrime, sfida dhe përgjegjësi shtesë. Prandaj, si të gjitha vendet e NATO-s, edhe Shqipëria duhet të riktheje në “përparësi dhe prioritet” reformën e sistemit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, duke zhvilluar aftësi të posaçme [mbështetur mbi Nenin 5 të Kartës së NATO-s] për mbrojtjen e tërësisë tokësore nga çdo kërcënim, në çdo kohë dhe nga çdo drejtim që vjen për të mbajtur barrën që i takon si dhe për të vijuar të ndihmojë në operacionet e Aleancës në Afganistan, Irak, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Ukrainë, Letoni, etj. Po ashtu, është në interesat strategjike të Shqipërisë, të zhvillojë projekte të përbashkëta me Kosovën dhe të gjitha vendet e rajonit për t’u përballur me kërcënimet asimetrike si policimi i hapësirës ajrore, rastet renegate, terrorizmi, rreziqet kibernetike, ekstremizmi i dhunshëm, krimi i organizuar, trafiqet e paligjshme, emergjencat civile, krizën e refugjatëve etj.

* * *

Është diçka e mirënjohur se në reformat e sigurisë kombëtare kanë përparësi interesat kombëtarë. Prandaj, këto reforma kërkojnë vizion, gjithëpërfshirje dhe konsensus politik sa më të gjerë. Edhe pas vendimit historik të Gjykatës Kushtetuese, mbetet ende e domosdoshmëri të baraspeshohen dhe harmonizohen edhe më mirë pushteti ekzekutiv me atë të Kuvendit, dhe veçanërisht Presidentit të Republikës, në zhvillimin e përgjegjësive kushtetuese të Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura FA, në lidhje me vendimmarrjet e rëndësishme strategjike në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes kombëtare.

* * *

Shqipërisë i duhet t’i rikthehet dhe të zbatojë një qasjeje gjithëpërfshirëse për hartimin e një Strategjie të re [dhe aplikative] të Sigurisë Kombëtarë [SSK-2014], një paketë ligjore, struktura dhe rregulla angazhimi moderne në të gjitha hallkat e zinxhirit të komandimit, nivelet e planifikimit strategjik dhe agjencitë e tjera të sigurisë së vendit. Pjesë e kësaj domosdoshmërie mbetet edhe depolitizimi i mëtejshëm i strukturave të sigurisë kombëtare, shpërfillja e paragjykimeve biografikë të personelit dhe ndalimi i shpërdorimit klientelist të pronave, infrastrukturave, kapaciteteve dhe burimeve të mbrojtjes kombëtare.

* * *

E fundit, por mbi të gjitha në reformat e sigurisë dhe mbrojtjes, nuk vlejnë as protagonizmi, as privatizimi i arritjeve dhe i festave, as triumfalizmi, as propaganda partiake, por dashuria, nderimi dhe përulësia për vendin, vështrim afatgjatë dhe përkushtimi në ushtrimin e detyrave shtetërore, përgjegjësia e lartë ndaj interesave mbarëkombëtare, besimi në vlerat demokratike dhe “bekimi” nga/ ndaj partneritetit strategjik me SHBA, NATOn etj.

* Dr. Arian Starova, President i Këshillit Atlantik të Shqipërisë, Ish-ministër i Jashtëm, ish-zv.MM. * Gjeneral Piro Ahmetaj, Këshilltar Ushtarak i Presidentit, Ish-zv.shef i Shtabit të FA, Ish-Përfaqësues i Shqipërisë në Komandën Supreme të NATO-s. Shënim: Opinionet e këtij artikulli janë tërësisht këndvështrime të autorëve për shkak të përvojës, funksioneve që kanë ushtruar dhe veprimtarive të tjera ndër 25 vite në strukturat kombëtare e integrimit dhe në NATO.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...