Rama premton aeroport në Kukës pas 12 muajsh, po vetë a e di ku do jetë?

Premte, 05 Prill 2019 17:19

Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve dhe Edi Rama ka hapur thesin e premtimeve të pafundme për të lypur vota. Është ajo  që di të bëjë më mirë, i mbani mend 300 mijë vendet e reja të punës gjatë mandatit të parë, më të freskëta i kemi edhe 210 mijë vendeve të tjera pune që premtoi në mandatin e dytë. Jo vetëm që nuk e mbajti si premtim, por largoi nga Shqipëria drejt azilit më shumë se 400 mijë shqiptarë.

Për të ardhur te aktualiteti, sot nga Kukësi, qytet ku shkoi me helikopter dhe iku po nga ajri për shkak të rrugëve të bllokuara nga kuksianët që e paralajmëruan që dje të mos shkonte për fushatë, Rama premtoi përfundimin e ndërtimit të aeroportit të Kukësit.  Një premtim që e ka dhënë edhe në tre fushatat e fundit elektorale. Por këtë herë vendosi edhe afatin kohor të 12 muajve.

Një premtim i cili po të marrim rastin më të mirë që realizohet pash 12 muajve, nuk jemi të sigurt se ku dë të jetë vetë Edi Rama  në atë kohë.

Situata politike po tregon se mazhoranca socialiste është drejt rënies së pashmangshme nga pushteti. Nëse pas vendimit të opozitës për lënien e mandateve ishte menduar një afat disa mujor për rrëzimin e qeverisë, Edi Rama po e shpejton me arrogancën e tij rrëzimin.

Nga ana tjetër edhe ndërkombëtarët janë zgjuar dhe mesazhe të forta kanë mbërritur nga Gjermania për fundin e kësaj qeverie të marrë me votat e blera dhe e zhytur në korrupsion.

Mediat po ashtu kanë vrarë frikën dhe po publikojnë ditë pas dite raste të korrupsionit të ministrave apo  edhe familjarëve të Ramës. Kujtojmë se një zë i fuqishëm ka qenë “Zëri i Amerikës” në publikimin e dosjeve që Prokurorja Arta Marku mban në sirtarë me qindra minuta përgjimi të blerjes së votave nga socialistët.

Opozita nga ana e saj po udhëheq protestat e shqiptarëve që nga 16 shkurti kanë treguar se janë më të mëdha në numër. Shqiptarët kanë vrarë frikën ndaj shantazheve për vendet e punës apo ndihmave ekonomike dhe po kundërshtojnë abuzimin që po ushtrohet nga pushteti. “Astiri”, artistët kundër prishjesh së Teatrit kanë më shumë se 100 ditë që protestojnë . Fermerët së fundmi janë ngritur kundër abuzimit me rritjen e TVSH-së. Pra kjo është situata në vend, Rama që krijon takime fasadash me punonjës të administratës dhe shqiptarët në krahun tjetër që bllokojnë rrugët ku shkel kryeministri i rënë tashmë.

Po ashtu në ditët e fundit edhe Partia Socialiste është rebeluar kundër “Rilindjes”, shkak është bërë flakja si leckë që Rama u ka bërë eksponentëve të vjetër të Partisë dhe promovimi i figurave inekzistente në postet më të larta të pushtetit.

Pra nëse i hedhim një sy situatës, Rama me fat mund të shtyjë edhe 12 ditë si Kryeminstër e jo më 12 muaj sa afati për ndërtimin e aeroportit të Kukësit./ Redaksionale

Modifikuar më Premte, 05 Prill 2019 22:31
Login to post comments