Grabitja/ Pse Rama merret me kinezët dhe “harron” fijet ruse të sigurisë së Rinasit?

E Enjte, 11 Prill 2019 19:58

Në media u publikuan sot dokumente zyrtare që tregojnë se administratori i ICTS Albania, kompanisë përgjegjëse për sigurinë e aeroportit të Rinasit është i njëjti person, i cili fshihet pas kompanive fantazëm të naftës në Shqipëri, “guacka” të Gunvor Oil, kompanisë ruse, të cilën Departamenti i Shtetit e ka vënë në listën e zezë me motivacionin se zotërohet direkt nga presidenti rus Vladimir Putin.

Pra ICTS Albania, kompania e sigurisë së aeroportit dyshohet se është financuar nga rusët njësoj si ARMO dhe në bordin e saj, figuron si administrator një person me lidhje të forta me kompaninë Gunvor, e cila për departamentit amerikan të shtetit zotërohet direkt nga presidenti Putin.

Sipas dokumentave të publikuara fijet ruse në Shqipëri, nga nafta rezultojnë të kenë arritur deri tek siguria e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend, një nga objektet kryesore të rëndësisë së veçantë. Por jo vetëm pasi ICTS Albania është përgjegjëse edhe për sigurinë e Portit të Durrësit dhe Bankës së Shqipërisë. Rrjedhimisht e tre prej pikave më “nevralgjike” të sigurisë kombëtare.

Grabitja e përsëritur e aeroportit të Rinasit është vetëm maja e ajsbergut, e një skandali shumë më të thellë, që zbulon se siguria kombëtare mund të jetë kompromentuar rëndë, teksa një nga objektet kryesore të rëndësisë së veçantë, ruhet nga individë të lidhur drejtpërdrejtë me rusët.

Në vend të merren me këtë fakt, rrezikun e vërtetë rus që ka kapur pikat kyçe të sigurisë kombëtare, qeveria dhe mediat e kontrolluara nga ERTV, heshtin dhe mbyllin sytë duke orientuar publikun tek kinezët e Aeroportit të Rinasit.

“Sulmi” i përqëndruar i qeverisë, nga ministrat tek “oborrtarët” e medias në vend të ndalet e të reflektojë mbi faktin se pas sigurisë së aeroportit fshihen rusët, përqëndrohet tek kinezët që kanë me koncension Aeroportin.

Por a nuk është Rama që po investon minuta të tëra në daljet e tij publike për të folur për rrezikun rus?

A nuk po paguhen emisione televizive për të shpikur lidhje mes Rusisë dhe opozitës shqiptare?

A nuk ishte kreu i SHISH që alarmoi Kuvendin për rrezikun rus?

Kur qeveria dhe SHISH janë kaq të shqetësuar për ndikimin rus pse heshtin si fija e barit për tentakulat që e lidhin Rusinë me sigurinë e Rinasit dhe puset e naftës?

Për kinezët e koncensionarit të Rinasit e kuptuam qëndrimin, por për rusët që “kujdesen” për sigurinë e aeroportit a do flasë kush?

A mos kjo heshtje është e qëllimtë, nga fijet ruse që lidhin aeroportin e Rinasit me puset e naftës, lidhen tek dera e kryeministrit?

Të shohim! Skandale të reja paralajmërohet të zbulohen në vijim!

Login to post comments