Më në fund, sot më 15.4.2019, në numrin 50 të “Fletorja Zyrtare” u botua urdhri i panjohur i Edi Ramës për delegim kompetencash. Kemi arsye të besojmë se urdhri është bërë me vonesë. Referuar edhe teatrit filmik të tekstit që lexoi Edi Rama te ministria në fjalë, ka ndryshim fjalësh. Kemi arsye të besojmë se ky urdhër është bërë tani vonë dhe as ka ekzistuar në formën që kërkon ligji. Një tjetër veprim i rrumpallistit Edi Rama.
***
URDHËR, Nr. 67, datë 23.1.2019, PËR DELEGIM KOMPETENCE
Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102, të Kushtetutës, të neneve 22, 25, 28 dhe 29, të ligjit nr. 44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, të neneve 5, 11, 22
dhe 23, të ligjit nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, të ligjit nr. 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, të ligjit nr. 43/2016
“Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të vendimit nr. 816, datë 7.10.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së shërbimit të jashtëm të
Republikës së Shqipërisë”, dhe të vendimit nr.734, datë 9.9.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullimin e veprimtarisë me jashtë të administratës shtetërore”,
URDHËROJ:
I. Delegimin e kompetencave të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme zotit Gent Cakaj, me detyrë zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, për sa më poshtë:
1. Në fushën e zbatimit të ligjit nr. 23/2015 “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”:
a) ndjekjen e zbatimit të programit të qeverisë për politikën e jashtme;
b) bashkërendimin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së strukturave të shërbimit të
jashtëm dhe raportimin para Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;
c) përfaqësimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, brenda dhe jashtë vendit, në rastet e pamundësisë së Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;
ç) marrjen e masave organizative dhe mbikëqyrjen e proceseve administrative, në lidhje me:
i. emërimin e Komisionit të Karrierës Diplomatike;
ii. emërimin e nëpunësit në sistemin e karrierës diplomatike;
iii. dhënien e gradave diplomatike sipas propozimeve të Komisionit të Karrierës
Diplomatike;
iv. dhënien e masave disiplinore, sipas propozimit të Komisionit të Karrierës Diplomatike;
v. punësimin e diplomatit të karrierës në organizata ndërkombëtare për periudha të
përkohshme dhe në misionet diplomatike, dhe postet konsullore të Republikës së Shqipërisë;
vi. ngritjen e komisionit të posaçëm për përzgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme;
vii. emërimin e ekspertëve jashtë shërbimit të jashtëm në misionet diplomatike dhe postet
konsullore;
viii. emërimin/mbarimin e detyrës së diplomatëve në misione diplomatike/poste konsullore të Republikës së Shqipërisë;
ix. transferimin, lëvizjen paralele dhe ngritjen në detyrë të personelit të karrierës diplomatike,
në bazë të propozimit të Sekretarit të Përgjithshëm;
d) mbikëqyrjen e veprimtarisë së Drejtorisë së Shërbimit të Trupit Diplomatik;
dh) dhënie mendimi Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme për
miratimin e vizitave zyrtare dhe të punës së anëtarëve të Këshillit të Ministrave jashtë shtetit;
e) sugjerimin Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, të propozimit për
emërimin dhe lirimin e ambasadorit, të kreut të misionit diplomatik dhe konsullit të
përgjithshëm.
2. Në fushën e zbatimit të ligjit nr. 43/2016
“Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”:
a) dhënien e mendimeve për projektmarrëveshjet ndërkombëtare që lidhen në emër të Republikës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave, ministrive dhe institucioneve qendrore dhe çdo lloj mendimi tjetër institucional në lidhje me veprimtarinë me jashtë të institucioneve publike;
b) marrjen e masave organizative në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat lidhen në emër të Republikës së Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, me autorizim të
Presidentit, Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;
c) nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat lidhen në emër të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme;
ç) kryesimin e delegacionit shtetëror përgjegjës për zhvillimin e dialogut politik dhe të negociatave me institucionet e Bashkimit Evropian.
3. Në lidhje me komunikimin me Këshillin e Ministrave, ministritë dhe institucionet e tjera qendrore:
a) marrjen e masave organizative për miratimin në sistemin e-aktet të projektakteve të iniciuara nga Kryeministri dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme;
b) dhënien e mendimeve për projektaktet e paraqitura për mendim nga ministritë, në formë shkresore;
c) komunikimin me ministritë dhe institucionet qendrore për çështjet brenda fushës së kompetencës së Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
4. Marrjen e masave organizative, me qëllim monitorimin e menaxhimit financiar të Ministrisë
për Evropën dhe Punët e Jashtme në përputhje me legjislacionin në fuqi për menaxhimin financiar.
5. Marrja e masave organizative me qëllim marrjen dijeni të informacionit të klasifikuar në përputhje me certifikatën e lëshuar nga DSIK-ja.
II. Z. Gent Cakaj, me detyrë zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, nuk mund t’i nëndelegojë këto kompetenca.
III. Delegimi i kompetencave mbaron me revokimin e aktit të delegimit, si dhe pushimin e ekzistencës së organit delegues apo të deleguar.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet
në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTËR DHE MINISTËR PËR EVROPËN DHE PUNËT E JASHTME
Edi Rama