Opozita ka vendosur që më 11 maj të zhvillohet protesta e radhës kombëtare kundër qeverisë “Rama”. Vendimi u bë publik pas takimit që kreu i PD-së, Lulzim Basha zhvilloi me kolegjin e kryetarëve të kësaj partie. Ashtu si në protestën e fundit, tubimi masiv i opozitës do të zhvillohet në orët e mbrëmjes, në 18:30. Protesta e 11 majit është e 10-ta masive që opozita organizon që nga djegia e mandateve në muajin shkurt. Tubimi i kësaj radhe pritet të jetë edhe më masiv dhe i tensionuar për shkak të situatës politike që duket ende shumë larg zgjidhjes. Në fjalën e mbajtur gjatë takimit me krerët e degëve, Lulzim Basha ka folur për protestë masive, e cila është pjesë e projektit për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve lokale, derisa kryeministri Edi Rama të pranojë kushtet e opozitës. Kryedemokrati u shpreh se mesazhi i protestës është se me Edi Ramën kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje. Basha ka dhënë dhe një përgjigje indirekte për kritikat që ka marrë opozita për protestat e tensionuara në Tiranë, duke u shprehur se për situatën ku ndodhet vendi përgjegjësia është e Edi Ramës. “Kolegji i Kryetarëve ka vendosur për mbajtjen e protestës kombëtare të 11 majit si “një përballje popullore për të treguar se shqiptarët refuzojnë kategorikisht të vidhen dhe të qeverisen nga krimi. Fatura do të jetë vetëm e Edi Ramës”,- është shprehur Basha.
Në dy muaj e gjysmë që ka nisur aksioni opozitar, me djegien e mandateve si akt distancues me Qeverinë dhe Parlamentin aktual, mazhoranca nuk ka bërë asnjë lëshim. Përkundrazi, që nga muaji shkurt situata politike është përkeqësuar me kontributin personal të kryeministrit Edi Rama. Kreu i qeverisë jo vetëm nuk ka pranuar asnjë kërkesë të opozitës, por së fundmi ka marrë seriozisht planin për asgjësimin e saj duke deklaruar se do të hyjë në zgjedhje me parti që ose janë të papërfillshme, ose i ka krijuar vetë PS-ja, në emergjencë, duke i servirur si të djathta. Ndaj protesta e radhës e opozitës nuk është një tubim i zakonshëm, por edhe një reagim për projektin e Ramës që synon zhvillimin e zgjedhjeve fasadë dhe me partiza që nuk përfaqësojnë realisht as një për qind të elektoratit. Teksa opozita paralajmëron protestën e radhës, koha e afatit kushtetues për zgjedhjet e 30 qershorit po afron. Opozita dhe qytetarët po kuptojnë se tubimet, pavarësisht numrit jashtëzakonisht të madh të qytetarëve nuk po japin efekt përballë një kryeministri që e ka ndarë mendjen të hyjë në zgjedhje i vetëm. Ndaj, ndryshe nga herët e tjera, protestat e opozitës ndodhen dhe përballë presionit të fortë qytetar për të dhënë një mesazh më radikal ndaj kreut të qeverisë. Historia me protestat masive popullore që kërkojnë largimin e Qeverisë, ndërsa kryeministri u përgjigjet me dhunë e gaz lotsjellës nuk mund të vazhdojnë pa fund. Me 11 maj skenari opozitar është që dhunës së policisë t’i përgjigjen me të njëjtën mënyrë: me sulm.
Qëllimi i protestave është që t’i tregojë Edi Ramës dhe ndërkombëtarëve se shumica e shqiptarëve duan ndryshim dhe zgjedhje të parakohshme. Përderisa ky mesazh paqësor nuk konsiderohet si problem real për qeverinë, atëherë është koha që qytetarët të flasin me qeverinë me gjuhën që kjo e fundit kupton e cila do jetë forca. Në radhët e opozitës, jo pak zëra kanë nisur të flasin për radikalizim të protestave, jo si dëshirë, por si detyrim që vjen nga qëndrimi i qeverisë dhe dhuna policore. Kreu i Partisë Republikane Famir Mediu deklaroi se reagimi qytetar ndaj qeverisë duhet të kalojë në një tjetër stad, duke nënkuptuar radikalizmin e saj. Në takimin e krerëve të PD me Lulzim Bashën është diskutuar dhe nisja e tubimeve masive në qytetet të tjera të vendit, para protestës së 11 majit. Ndërkohë sfida kryesore është vendosur në 11 maj dhe mënyra se si do të organizohet ky tubim nga ana e opozitës do të përcaktojë dhe fatin e mëtejshëm të zhvillimeve politike.
Një gjë mbetet e sigurtë, që protesta e 11 majit nuk do jetë si protestat e tjera. Kohajonë