Basha: Largimi i Ramës, hap i panegociueshëm, Misioni kombëtar i koalicionit

Tuesday, 23 Prill 2019 12:26

Pas firmosjes së marrëveshjes me aleatët, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dalë në një deklaratë për mediat, ku është shprehur se marrëveshja e koalicionit i shërben zgjedhjeve të ardhshme, që të jenë të lira dhe të ndershme.

“Angazhimi i parë është të kthejë vendimmarrjen në duart e shqiptarëve. Nuk pranojmë qeveri false që grabit paratë e shqiptarëve e që ka detyruar shqiptarët të ndërmarrin një eksod të përmasave të tilla. Është e domosdoshme të ndëshkohet krimi”, shprehet Basha.

Basha shprehet se zgjedhje farsë në Shqipëri nuk do të ketë, pa u vënë para përgjegjësisë ata që kanë bashkëpunuar me krimin, të kapur në afera të tmerrshme korruptive.

“Marrëveshja nuk është thjesht konfirmim i maxhorancës së re, por mbi ne qëndron një mision kombëtar, për t’i dhënë fund një herë e mirë tranzicionit. Akti i parë i këtij koalicioni është formësimi i platformës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Hap i panegociueshëm është largimi i shkaktarit të kësaj gjendjeje, Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie tranzitore “, shton Basha.

Login to post comments