Nga Ilir Nikolla
Për ata që kanë sy të shikojnë e veshë të dëgjojnë, firmat e ditës së sotme dhe formalizimi i koalicionit të opozitës së bashkuar rrëfen për mbështetjen historike që kanë këto parti, të cilat sot deklarojnë se s’do të lejojnë të mbahet një farsë elektorale si ajo që Edi Rama ka planifikuar 30 qershorin e ardhshëm.
Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, koalicioni i opozitës së bashkuar ka marrë në zgjedhjet vendore të 2015-s 60 % të votave për në këshillat bashkiakë, çka është në njëfarë kuptimi edhe vota politike e atyre zgjedhjeve. Një shifër e tillë historike nuk është regjistruar nga asnjë koalicion politik, që nga fitorja historike e 22 marsit të 1992-it. Edhe atëhere, ashtu si edhe sot, koalicioni kishte marrë pamjen e një fronti të vërtetë politik, atëhere për të rrëzuar diktaturën komuniste, e sot për të restauruar votën e lirë, të dëmtuar rëndë nga qeverimi i përbashkët i Edi Ramës me oligarkinë dhe struktura të krimit të organizuar.
Edhe po të shohim votën e deformuar të 2017-s, koalicioni i opozitës së bashkuar ka sërish 50 % të votës popullore, me rreth 760 mijë vota. Po të mendohemi sadopak për përbërjen e dosjes 339 dhe të dosjes 184, kuptojmë sheshit se sa fals ishte rezultati i 74 mandateve që mori Edi Rama dhe se sa mbi 50 % ka qenë në fakt votimi i shqiptarëve për partitë që sot firmosën koalicionin e opozitës së bashkuar.
Këto shifra duhen analizuar qartë, sepse kanë mesazhin se 60 % e popullsisë nuk dëshiron farsë elektorale dhe është e gatshme të ndeshet në rrugë për ta ndalur atë farsë. Ky realitet, bashkuar edhe me disa sondazhe, që thuhet se janë organizuar nga të majtët dhe raportojnë për një mbështetje politike të koalicionit të PD në një vlerë prej 54 %, flasin për një vullnet popullor se 30 qershori s’ka për t’u pranuar.
Kush ka sy për të parë e veshë për të dëgjuar, qofshin shqisa kombëtare a ndërkombëtare, duhet të kuptojë se skalionet janë rreshtuar dhe koha për të ndërhyrë është tani. Më vonë, nëse 60 përqindëshi i shqiptarëve do të nëpërkëmbet, ata do t’i dalin zot vetes. Nëse gjasme-shurdhi e gjasme i verbri në kryeministri thotë se s’dëgjon, këmbanat bien së pari për të dhe ai do të jetë përgjegjës për kostot që po i jep vendit nga gjasme-shurdhëria e gjasme-verbëria si qendrim politik për t’u ngjitur pas kolltukut, si peng i krimit, por edhe si mallkim i shqiptarëve.