Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së tha se Rama dhe njerëzit e tij më të afërt e kanë vendin në burg.
Gazetari Klajdi Bodlli raporton për “Balkanweb” se Basha në Kryesi është shprehur ndër të tjera se PD është e gatshme që më 30 qershor mos të lejojë një krim elektoral si ai i vitit 2017.
Pjesë nga fjala e Lulzim Bashës në Kryesinë e PD-së:
“Asnjë minutë paqe për Edi Ramën derisa të largohet e t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ky është vendimi i mbledhjes së përbashkët së kryesisë dhe ish deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët do të jenë në krye të mobilizimit të qytetarëve në protestë kundër qeverisë.
Koha kur në Shqipëri Edi Rama dhe kriminelët e tij diktonin zgjedhjet, ka marrë fund njëherë e mirë. Ne do të jemi në krye të protestave të qytetarëve, derisa të fitojmë betejën europiane dhe demokratike për të mos lejuar krimin elektoral të 30 Qershorit. Edi Rama e di se nuk mund t’i rezistojë presionit popullor, prandaj po kërcënon me burg.
Edi Rama ka frikë, sepse e di shumë mirë, që një hetim i pavarur, çon në burg atë vetë, Vangjushin e tij dhe Damian Gjiknurin për blerjen e zgjedhjeve bashkë me krimin. Mesazhi i qëndresës qytetare për Edi Ramën, që iu frikësohet zgjedhjeve të lira si djalli nga temjani, është se nuk ka shpëtim prej tyre.
Ne jemi të gatshëm të sakrifikojmë çdo gjë për të mos lejuar që në 30 qershor të ketë një krim tjetër elektoral si ai i 2017-ës. Koha kur populli shkonte në burg dhe kriminelët në qeverisje, ka marrë fund. Politikanët e lidhur me krimin do të shkojnë në burg dhe populli do të çlirohet nga krimi dhe korrupsioni. Përballja do të jetë në çdo qytet në çdo shesh dhe rrugë të vendit për të kulmuar në 11 maj në protestën kombëtare përpara kryeministrisë.”