Ankohet se i bllokojnë rrugën, Vasili i nxjerr videon kur Rama digjte rrugët e Shqipërisë pasi humbi Tiranën

Saturday, 27 Prill 2019 20:21

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot përpara qytetarëve Gledjan Llatja si kandidat i PS për Bashkinë e Elbasanit. Takimi nisi me një kundërpërgjigje për simpatizantët dhe ish- deputetët e PD, të cilët ashtu si kurse një ditë më parë në Shkodër, sot bllokuan rrugën në Bradashesh.

“Si mundet që një parti politike që pretendon që të marrë pushteti, të bllokojë rrugët dhe të pretendojë se në këtë formë do të luftojë për demokraci. Kush i ha këto, sa i dehur duhet të jesh që të ndjekësh nga pas. Më vjen mirë, që edhe një herë tjetër, si gjithmonë në Elbasan kemi një mikpritje dhe një mbështetje kaq kuptimplotë dhe me kaq shumë njerëz, më vjen mirë që shiu po i shton nuk i pakëson. Më vjen shumë mirë, që sa herë vij këtu dëgjoj fjalë të mira në adresën time”, tha sot Rama.

Dhe për t’i kujtuar kohën kur Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të opozitës, tetë vite më parë bllokonte rrugët në 8 akse kryesore të vendit në protestë kundër kundërshtarit të tij politik, Sali Berisha, duke djegur goma makinash në çdo cep të Shqipërisë ka menduar ish-kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.

Përmes një videoje të publikuar në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Vasili sjell në vëmendjen e publikut kohën kur Rama që sot ankohet për bllokimin e rrugëve, jo vetëm i bllokonte ato, por i shndërronte në sheshe betejash fizike me policinë, duke mos u kursyer të përfshijë në këto përplasje edhe gra dhe fëmijë. Dhe këtë për inatin e vetëm se nuk e kapërdinte dot faktin që e kishte humbur drejtimin e Bashkisë së Tiranës.

“Shiheni VIDEON e mëposhtme, që të kuptoni se çfarë kryeministri karagjoz ka Shqipëria.

Shiheni se çfarë bënte në 2011-ën, ky derdimen dhe partia e tij me burra e me gra kur ishte në opozitë dhe se çfarë idiotësirash flet sot.

Përbuzeni këtë budalla !!!!”, shprehet Petrit Vasili në reagimin e tij.

Login to post comments