Pasditen e sotme kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel së bashku me presidentin e Francës, Emmanuel Macron kanë thirrur në Berlin një takim bilateral me kryeministrat e presidentët e Ballkanit.
Temë qendrore e kësaj tryeze do të jetë djegia e planit Rama-Thaçi-Vuçiç për ndarjen e Kosovës, por njëkohësisht do të ketë edhe diskutime të tjera.
Është mësuar se kancelarja Merkel do të zhvillojë takime të shkurtra me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev dhe atë të Shqipërisë, Edi Ramën.
Por Dojçe Velle shkruan sot se Franca kërkon që në këto takime të mos përmendet fare çështja e zgjerimit të BE-së, duke kërkuar që në takimet me Ramën e Zaev të mos diskutohet kjo gjë.
‘Edhe pse perpspektiva evropiane konsiderohet si motori kryesor i gatishmërisë së këtyre vendeve për kompromis dhe reforma, zgjerimi nuk do të jetë temë bisede.
Qarqet diplomatike rikonfirmojnë për DW se Franca nuk dëshiron ta zërë fare në gojë çështjen e zgjerimit të BE-se në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që do të mbahen në fund të majit’, shkruan në artikullin e saj radioja gjermane.
Por nga ana tjetër, kancelarja Angela Merkel dëshiron të japë një sinjal në drejtim të dy vendeve që janë në pritje të çeljes së negociatave, si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Ajo do të takohet kështu në takime bilaterale me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, (16:00) dhe me kryeministrin shqiptar Edi Rama, (16:30).
Temë këtu do të jetë çelja e negociatave të anëtarësimit në BE.
Merkel dëshiron të theksojë kështu rëndësinë që u jep Gjermania këtyre dy vendeve dhe perspektivës së tyre në BE.