Qyteti i Durrësit ka qenë ndalesa e dytë e ‘Forumit për zgjedhje të lira’, i organizuar nga ‘Grupimi i Qendrës së Djathtë’.
Aleatët e Partisë Demokratike, Dashamir Shehi, Nard Ndoka, Fatmir Mediu, Vangjel Dule dhe Agron Duka, kanë zhvilluar një bashkëbisedim mbi situatën në vend me strukturat dhe simpatizantët e partive që drejtojnë.
Krerët e partive opozitare, me qëndrimin e unifikuar për zgjedhje të lira dhe të ndershme, kanë sqaruar arsyet pse kanë ndërmarrë këtë nismë dhe, gjithashtu, kanë njohur mbështetësit e tyre me ‘Platformën për marrëveshje kushtetuese’ me 12 pika të prezantuar këtë të hënë, të cilën e shohin si një pikënisje për zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale që ka kapur vendin.
Në unison edhe me qëndrimin e Presidentin e Republikës, të cilit, paritë e Qendrës së djathtë, i kanë kërkuar të thërrasë një tryezë politike me përfaqësues të opozitës dhe mazhorancës, deklarojnë se:
‘Zgjedhjet pa opozitën përbëjnë një rrezik të madh për stabilitetin e vendit si dhe cenojnë pluralizmin politik. Dalja nga kjo krizë mund të vijë vetëm nëpërmjet një marrëveshje afatgjatë, me të cilën të ndërmerren ndryshime kushtetuese që do të kufizojnë dhe kontrollojnë autoritetin e pushtetarëve. Që do të krijojë më shumë hapësira dhe respektim të plotë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve, një ligj zgjedhor me lista të hapura, kufizimi i mandateve, reformë kushtetuese dhe administrative’.
Ata u e mbyllën takimin duke u bërë thirrje qytetarëve të angazhohen në moslejimin e zgjedhjeve farsë si dhe t’i bashkohen protestës së opozitës në datën 11 maj.