Edi Ramës, sa herë që i jepet rasti për të denigruar opozitën dhe i trembur nga ndërkombëtarizimi i të vërtetës për qeverisjen klepto-kriminale që ka instaluar, deklaron se ai nuk flet kurrë për askënd (opozitën, median kritike etj), në gjuhë të huaj. Në fakt e vërteta është krejtësisht tjetër.
Edi Rama jo vetëm denoncuesit e klikës së tij brenda vendit i sulmon në gjuhë të huaj, por shkon edhe më tej duke punuar ‘në anglisht’, kundër interesave kombëtare të Kombit shqiptarë.
Vetëm 2 ditë më parë ish-ministria e Jashtme dhe kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, denoncoi sërish sipas burimeve të saja që kanë informacion të dorës së parë, se Rama është protagonist i planit për ndarjen dhe rishikimit të kufijve të Kosovës dhe se ky plan është iniciuar, gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd.
‘Kryeministri Rama është mjaft i pasur me fjalorin e tij për të bërë reagime, dhe s'di si e gjen kohën për këtë, në vend që të ulet dhe të mendojë strategjikisht për kombin shqiptar, për luftën gjeopolitike që po ndodh sot në dialogun e Brukselit. Vetë Edi Rama kur ishte në Serbi në vitin 2016, nuk ishte i zoti t'i thoshte jo ndryshimit të kufijve homologut serb dhe në këtë lojë u përfshi edhe z.Thaçi, duke importuar ide serbo-ruse. Këto nuk janë vetëm në dëm të Kosovës, por në dëm të kombit shqiptar. Sot është koha që vetë z.Rama të ulet dhe të mendojë pse nominoi këtë kandidat dhe pse largoi Ditmir Bushati, i cili mbrojti kufijtë e Kosovës. Më shumë se çështje individësh, kjo është një çështje kombëtare’, ka deklaruar disa herë Tahiri për mediat shqiptare.
Natyrisht kur Rama me Vuçiç kanë biseduar fshehtas dhe kanë hedhur idenë e ndarjes së Kosovës në Beograd, e cila pastaj u bë krye temë e gjithë kancelarive të huaja jo vetëm në Europë, nuk e kanë bërë këtë në gjuhën shqipe.
Por kulmin, ‘nxjerrjen e kokës’ për rolin e tij në anglisht e çfarëdolloj gjuhe tjetër të huaj, Rama e bëri gjatë Samitit të Berlinit, ku planit dhe hartave të ngjizura nga treshja, Vuçiç-Rama-Thaçi, ju vu zjarri. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka rrëfyer pas samitit një pasazh me protagonist kryeministrin e Shqipërisë, që bën me turp çdo shqiptarë anë e mbanë botës.
‘Dje u përsërit ajo që më ka ndodhë edhe në të kaluarën. Isha krejtësisht i vetëm në një qëndrim. Ma së vështiri ish. Edhe presidenti (Thaçi), edhe Edi Rama më shumë bëfshin presion ata dy me e heq taksën, sesa shtetet tjera. Të gjithë instonin që me respektu qëndrimin e kancelares dhe Makronit, që ky është një shans i mirë për Kosovën e që nuk duhet me e humb. Një insistim direkt i pandalshëm. Në një gjuhë që ishte në anglisht, qe e merrnin vesh, edhe kancelarja edhe presidenti Makron’, ka rrëfyer Haradinaj në një intervistë për T7 nga Berlini.
Pra Edi Rama vetë ankohet se opozita tregon edhe në gjuhë të huaj, se si ai ka instaluar në Shqipëri një sundim të krimit dhe korrupsionit, kurse nga ana tjetër në anglisht, në sy të kancelares Merkel dhe presidentit Macron, i bën presion Ramush Haradinajt që të ulë kokën përpara Serbisë së Vuçiç dhe të ndjekë planin shkatërrimtar, për kombin shqiptarë që ja dogjën përfundimisht në Berlin.
Gjithsesi, për të rifreskuar kujtesën e lexuesve, po ju risjellim në vëmendje disa nga shumë qëndrimet ‘në anglisht’ të Edi Ramës kundër zërave kritikë që denoncojnë se çfarë po ndodh në të vërtetë në Shqipërinë e udhëhequr nga klani klepto-kriminal i tij.
Deklaratë e Edi Ramës më 26.4.2018, pas takimit me Merkel dhe deputetë të Bundestagut (Anglisht)
‘Sa i përket opozitës dua të them se konstatova me keqardhje në dëgjesën e komisionit të çështjeve europiane që çka lidhej me çështje që nuk janë pjesë e raportit të progresit ishte thjesht transmetimi në gjermanisht i atyre që dëgjojmë këtu shqip deri në bezdi dhe ky është roli që ka luajtur deri tani opozita shqiptare dhe kështu i ka shfrytëzuar deri tani ato pak lidhje gjithmonë e më pak që ka duke përcjellë dhe eksportuar pa u lodhur baltën e përditshme dhe duke e kthyer atë në një pengesë për të lejuar që Shqipëria të shikohet nga të gjithë për atë që është në këtë moment dhe që raporti i progresit të lexohet nga të gjithë pa vendosur përpara paragjykimet e krijuara nga ato të pa vërteta për ti quajtur me një fjalë të edukuar që opozita ka propaganduar pa pushim në gjuhë të huaj’.
Edi Rama në emisionin, Porta a Porta (Italisht)
‘Është vështirë të gjesh fjalët për fjalët në gjuhë të huaj të atij që quhet kryetar i opozitës, por fatkeqësisht nuk është as lideri, as kujdestari, as përfaqësuesi i saj. I asaj opozite që gjendet në popull mes njerëzve të zakonshëm si ti. Ata njerëz janë kudo nga veriu në jug. Mes tyre ka po aq qorra dhe aq vulgarë sa edhe arratjakët nga parlamenti. Por shumica nuk duan baltosjen dhe ziftosjen e Shqipërisë në gjuhë të huaj. Përkundrazi e vuajnë dhe dënojnë një qasje të atillë humbasësh pa pikë dinjiteti që janë gati ti lënë Shqipërisë faturën e dëshpërimit të tyre për pushtetin e humbur…Kur nënshkruam me Lulzim Bashën marrëveshjen parazgjedhore të 2017 unë i dhashë atij gjithçka që kërkoi dhe i kërkova vetëm dy gjëra; rezultati nuk kontestohet dhe Shhqipëria nuk shahet në gjuhë të huaj. U desh një sezon veror që këto dy pika të avullonin dhe avazi i vjetër të rifillonte pak e nga pak për të arritur kulmin tani së fundmi’.
Pjesë nga letra e Edi Ramës në gjuhën angleze drejtuar OSBE, pas protestës së 16 shkurtit 2019:
‘Në 16 shkurt 2019, pas thirrjeve të nxitëse disa javore nga liderët e opozitës Lulzim Basha (PD) dhe Monika Kryemadhi (LSI) për një protestë të dhunshme në Tiranë për të rrëzuar qeverinë, rreth 10 mijë persona (sipas të dhënave të policisë) u mblodhën përpara zyrës së Kryeministrit. Ndryshe nga rastet e kaluara opozita në mënyrë vullnetare nuk u angazhua që të udhëhiqte demonstruesit, duke insistuar se ‘këtë herë ishte në dorë të njerëzve që të udhëhiqnin jo më me fjalë por me vepra’. Dhe ashtu siç ishte parashikuar jo më vonë se 10 minuta pas fillimit të protestës demonstruesit mësynë dyert e Kryeministrisë në akt të paprecedentë të dhunës e padëgjuar në vitet e fundit’.
Përgatiti: SYRI.net