Postuar nga Sali Berisha/
Dy konkluzionet me kryesore te eksperteve me te njohur per Samitin e Berlinit!
1-Varrosen perpjekjet aventureske Rama-Thaçi- Vuçiç per coptimin e Kosoves dhe krijimin e Serbise se Madhe
2- Qeverite jo demokratike pengojne integrimin e vendeve te rajonit ne Bashkimin Europian.
Ketu me poshte keni permbledhjen e mendimeve te ekspertve te shquar te paraqitur nga VOA, Zeri i Amerikes! sb
Ekspertë amerikanë dhe evropianë analizojnë takimin e Berlinit
MË: 1 MAJ 2019 NË ORA: 18:10
Samiti i Berlinit
Ekspertët amerikanë dhe evropianë të Ballkanit thonë një prej mesazheve më të forta që përcolli takimi i nivelit të lartë që u mbajt Berlin, ishte ai i mos ndryshimit të kufijve në rajon. Ata i bënë komentet dje në Uashington, gjatë një konference ku u diskutuan sfidat që kanë përpara vendet e Ballkanit perëndimor.
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë ishin një nga temat qendrore të takimit të Berlinit. Ndonëse në përfundim të tij nuk u arrit ndonjë rezultat konkret, sipas analistëve, aty u rikonfirmua se ideja e ndryshimit të kufijve nuk është rruga e duhur drejt arritjes së një marrëveshjeje mes këtyre dy vendeve.
"Ajo çka unë kuptova është se Presidenti Macron i është bashkuar kundërshtimit për çdo ndryshim të kufijve, që për mua është gjëja e duhur për t’u bërë. Shpresoj që kjo do t’i hapë rrugën një diskutimi më serioz për normalizimin e marrëdhënieve”, thotë drejtori i Programit për Menazhimin e Konflikteve në Qendrën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins Daniel Serwer.
Analisti Ed Josef gjithashtu u përqëndrua tek mesazhi i fortë që përcolli Gjermania kundër ndryshimit të kufijve në rajon dhe tek mundësitë për arritjen e një marrëveshje nën këtë qasje.
“Një marrëveshje është gjithnjë e mundur. Ajo që duhet të dimë tani është se nuk jemi më në “epokën e Mogherinit”. Pra, këtij koncepti që kishte një shtysë të madhe nën Federica Mogherinin dhe u mbështet sigurisht nga John Bolton, këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara, shohim se i ka ardhur fundi”, thotë eksperti i Institutit për Politika Ndërkombëtare.
Gjatë takimit të Berlinit Presidenti Thaçi tha se “bisedimet duhet të jenë të pakushtëzuara” duke theksuar se nuk mund të ketë zgjidhje pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por për zotin Serwer një përfshirje direkte në bisedime e Uashingtonit do të sillte në tavolinë edhe Moskën.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë të përfshira, në mënyrë jo direkte. Por problemi me të paturin e SHBA-së në takime, krijon mundësinë që Moska të jetë aty gjithashtu. Nuk mendoj se ndokush në Bashkimin Evropian, Kosova me siguri, madje as vete Serbia, do ta donte praninë e Rusisë”.
Takimi i Berlinit i kushtoi vëmendje dhe perspektivës evropiane të vendeve të ballkanit perëndimor. Sipas ekspertëve ndonëse perspektiva për zgjerimin e BE-së në 2025 mbetet në fuqi, arritja e saj duket e vështirë. Dhe arsyet sipas drejtorit të Qendrës për Studime të Evropës Juglindore Florian Bieber, lidhen me angazhimin e pasinqertë të qeverive në rajon.
“Problemi kryesor është se kemi të bëjmë me qeveri jo-demokratike, të cilat nuk janë sinqerisht të angazhuara për ta çuar vendin drejt NATO-s dhe BE-së. Këtu shohim një paradoks. Shumë prej qeverive thonë se janë pro-perëndimit, se i pëlqen t’i bashkohen NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Por nëse gërvisht poshtë sipërfaqes, ky është një angazhim, le të themi siperfaqësor, në rastin më të mirë. Në thelb ata janë pak të interesuar për bashkim me perëndimin në kuptimin e përqafimit të demokracisë liberale, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe marrëdhënies së fqinjësisë së mirë”.
Për t’i bërë jehonë argumentit të tij zoti Bieber morri si shembull dialogun Prishtinë Beograd.
“Ka një mirëkuptim të palëve për qëndrimet e kundërta, apo mospëlqimet. Jo vetem udhëheqësit e këtyre vendeve e kanë shprehur hapur se sa shumë e urrejnë njëri-tjetrin, por gjithashtu kthehen në shtëpi dhe vjellin vrer ndaj njëri-tjetrit. Nëse lexon shtypin pro regjimit në Serbi, ata kanë njoftuar të paktën 100 lufra vitin e kaluar. Kanë thënë çdo ditë se vendit i kanoset një luftë. Dhe bëhet fjalë për median besnike ndaj presidentit Vuçiç. Nuk mund të kesh një qeveri që në një anë pohon se është pro perëndimit dhe nga ana tjetër mbështet shtypin që angazhohet në fjalime urrejtjeje, të llojit më të keq”.
Ekspertët vunë në dukje se qasja megjithëse sporadike, por kokëfortë që buron nga Bashkimi Evropian lidhur me integrimin e Ballkanit, po u hap rrugë fuqive të tjera të “zbarkojnë” në rajon, duke ngadalësuar procesin e europianizimit të këtyre vendeve./Voa/