Publicisti i mirënjohur në mbarë hapësirën shqiptare, Kim Mehmeti, ka lëshuar deklarata të forta për simbiozën politikë-krim që qeveris Shqipërinë dhe jo vetëm. I ftuar mbrëmë në studion e lajmeve të RTV Ora, duke analizuar situatën në Shqipëri,
Mehmeti e krahasoi kryeministrin e Edi Rama me prostitutat në një shtëpi publike, të cilat nuk mund të largohen dot, nëse nuk i lejon pronari. Ky tutor-pronar i kryeministrit të vendit tonë sipas shkrimtarit të njohur është krimi, i cili do ta lëshojë vetëm kur të mos i duhet më.
“Kryeministri i Shqipërisë edhe të dojë nuk del nga politika sepse shumë nga burrështetasit tanë janë si ato prostitutat në shtëpinë publike. Dalja e tyre nga aty nuk varet nga dëshira e tyre, por kur do të vendosë ai pronari që ti japë lejë. Ai e bën kur e shikon që nuk ka dobi ndaj tyre.
Andaj ajo që është më e çuditshme, është se aq shumë janë përzierë gjërat saqë nuk mund ta kuptoni në Shqipëri sa politika e drejton krimin, apo krimi e ka kapur peng politikën. Kur këto gjera e humbasin kufirin, atëherë aty nuk keni më shtet, po keni banda që e konsideron popullin si argat të vetë që një herë në 4 vjet të japin votat dhe këtu përfundon gjithë forca e qytetarit”, ka analizuar Kim Mehmeti.