Gjatë kohës që ka qenë në opozitë Edi Rama dhe Rilindja e tij, si kryefjalë të asaj që do të arrinin kur të vinin në pushtet kishin hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në dhe avancimin e vendit drejt anëtarësimit. Nën këtë “justifikim” bënë, edhe “Aleanca për Shqipërinë Europiane” me LSI-në dhe shumë parti të tjera të majta e të qendrës. Por po hyjmë në vitin e 7-të të qeverisjes së Edi Ramës dhe në mënyrë të paprecedentë vendi jo vetëm që nuk ka përparuar në axhendën e integrimit, por përkundrazi ka ecur prapa duke rrezikuar edhe rikthimin e vizave pas vendimit të fundit të parlamentit holandez. Pak ditë më parë në Samitin e Berlinit u dha një goditje tjetër, duke shtyrë pa kohë dhe afat hapjen e negociatave për Shqipërinë.
Treni i BE-së gjatë qeverisjes së Rilindjes ka kaluar disa herë në stacionin Shqipëri, por nuk ndaluar pasi qeverisja klepto-kriminale e Edi Ramës është konsiderua e padenjë për të hipur vendin aty. Vitin e shkuar pas rekomandimit të KE-së, Edi Rama hapi shampanjën dhe mashtroi hapur duke deklaruar se “negociatat janë hapur, por presim vetëm zyrtarizimin në qershor të 2019-ës”. Fakt është që kjo datë është shtyrë sërish dhe madje do të pritet edhe një raport i ri, i cili do të rivlerësojë plotësimin e kushteve që i janë vënë qeverisë.
Pikërisht këtë temë, `Shqipëria në BE’, ka trajtuar në punën e radhës mjeshtri Bujar Kapexhiu në karikaturën e radhës të botuar në Mapo.
“Bye bye Edi Rama, treni juaj iku prapë!”, është konstatimi që përçon kjo satirë therëse politike! Syri.net