Ish-deputetja e PE-së dhe raportuesja Doris Pack foli në konferencën për media, ku i pranishëm ishte kreu demokrat Lulzim Basha dhe pedagogë e akademikë.
Pack tha se ndihet e nderuar që është e pranishme mes pedagogëve dhe akademikëve. Ajo shtoi se ndihet e keqardhur që universiteti në Shqipëri është i politizuar.
“Jam e nderuar që jam e pranishme në një tryezë me kaq shumë pedagogë dhe akademikë. Besoj gjithashtu se Arsimi i Lartë në Shqipëri ka probleme. Unë besoj se ata studentë shqiptarë që janë jashtë, duhet të kenë kushtet që të kthehen dhe të japin kontributin e tyre këtu, në vendin e tyre.
Mund të them se sa kam ndjekur nga afër arsimin e lartë në Shqipëri, pasi kam biseduar dhe takuar shumë studentë, politizimi mbetet problem. Jam e keqardhur që universiteti është politik, i politizuar dhe kjo nuk është aspak gjë e mirë. Kjo prish edhe imazhin e universitetit. Po ashtu, qeveria nuk duhet të ndërhyjë në kërkime shkencore dhe as në pavarësinë e integritetin e një pedagogu”, tha Pack.
Doris Pack theksoi se qeveria nuk duhet që të përbuzë njerëzit e shkolluar, akademikët siç ndodh, por të vlerësojë këtë kategori, që përbën edhe elitën arsimore në vend.