Banorët e Unazës së Re marshojnë në këmbë për tek Drejtoria e Policisë, ku mbahet i burgosur Klevis Balliu. Opozita qëndron në krah të tyre. Me hedhje shashkash banorët e Unazës nuk kursejnë akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe Policisë së Shtetit.
“Rama ik, hajdut, legen, kazan, polici e leshit. O Klevis, o hero gjithë Unaza ty të do.Lironi Klevisin.”- janë disa nga thirrjet e banorëve të Unazës së Re.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu është arrestuar që nga dita e djeshme.
Balliu akuzohet për veprat penale “kundërshtim me dhunë ndaj punonjësve të policisë”, “prishje e qetësisë publike” dhe “pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”. Ish-deputeti është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Po kështu mësohet se bashkë me Balliun është arrestuar dhe një banor tjetër. Policia ka lënë të lirë katër prej personave të cilët u shoqëruan, pasi bllokuan rrugën pranë një biznesi privat, ku do të shkonte kryeministri Edi Rama. Raportohet se janë liruar protestuesit Gazmend Koka, Arben Qyrani, Florjan Protoduari dhe Muharrem Rexha.