Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përsëriti kërkesën e opozitës, një kryeministër tranzitor për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Zgjedhje të lira dhe ndershme, qeveri tranzitore pa përdhunuesin serial të zgjedhjeve, me një kryeministër tranzitor për të çliruar zgjedhjet. Banditë me uniformë urdhëruan policët të shoqëronin dhjetëra protestues. Policia e dhunuar nga krimi nuk bën detyrat e saj. Krimi qeveris. Policia e dhunuar nga krimi hesht dhe një tufë banditësh dhe kriminelë me uniformë dhunojnë qytetarët. Gati jemi për marshimin historik të protestës. Do të jemi të gjithë bashkë në këtë marshim, marshimin tonë të lirisë, demokracisë, kundër dhunës qeveritare. A jeni gati apo jo?”, tha ai.
Basha tha protestuesve të opozitës, tha se qeveria iu përgjigj thirrjes së opozitës për votën e lirë me dhunë dhe gaz helmues.
“Vetëm 48 orë më parë, shqiptarët u bashkuan në një protestë të jashtëzakonshme për të kërkuar një të drejtë të pakështuezueshme, garancinë për lirinë dhe dinjitetin e çdo shqiptari, votën e lirë dhe të ndershme. Qeveria dhe kryeministri ilegjitim iu përgjigj thirrjes tonë me dhunë barbare, me provokime, me rrahje, me gaz helmues.
Përgjigja e vetme e Edi Ramës ishte dhuna. Me dhunë i mori zgjedhjet, ky është kryeministër ilegjitim. Tash, dy vjet Prokuroria ka vetëm një mision; të ndalë hetimin e dosjeve kriminale ku janë kapur kupola e Rilindjes me kupolën e mafies për të blerë votën”, tha Basha.
Basha u shpreh se bashkimin e opozitës nuk e shuan dot dhuna barbare e Edi Ramës.
“Ne jemi sot në këtë marshim-protestë për të thënë qartë; refuzojmë dhunën e qeverisë së ardhur me dhunë. Ne do t’i përgjigjemi me bashkimin e shpirtrave tanë, me fuqinë e pjesëmarrjes, me fuqinë e vendosmërisë dhe shpresës që ka lindur që nuk e shuan dot as shiu i bekuar i Perëndisë dhe as më pak dhuna barbare e Edi Ramës dhe veglave të tij kriminale. Ejani me ne që ta çlirojmë Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni. Ne jemi në këtë betejë për kushtetutë, për ligj, për dinjitetin dhe lirinë e cdo shqitpari”, tha ai.