Pjesë nga intervista e Nënkryetares së LSI-së për ‘Report Tv’
Arrestimi i Viosanës
Unë dua të sjell në vëmendje edhe një ngjarje të fundit që dua ta denoncoj këtu përsa i përket një vajze që është shoqëruar, është një studente e arkitekturës në qoftë se e mbani mend debatin që ka bërë zoti Rama në bashkëbisedimet me studentët, kjo ka qenë një nga studentet që ia ka thënë në fytyrë atë që mendonte. ka qenë pjesë e lëvizjes studentore në protestat e studentëve dhe sot ndalohet dhe shoqërohet. Parulla ndaj ambasadorit Boschard mendoj që ka qenë një shprehje e një mendimi të disa të rinjve në një botë demokratike të cilën e aspirojmë, parulla të tilla ka kudo dhe është mënyra ë shprehjes së mendimit të tyre dhe nuk ka qenë me të keq absolutisht, por të kemi parasysh që dhe zyra e OSBE brenda 10 minutave ndryshoi qëndrim gjë që padyshim njerëzit i irriton, padyshim që aty është një tension shumë i madh, me gazin lotsjellës dhe çdo gjë tjetër.
Reforma në Drejtësi
Të lexoj në gazetën Bild, për vendin tim që është një vend që drejtohet nga gangsterët nuk është e kënaqshme as për mua po as për qytetarët shqiptare. Të lexoj apo të shoh që Prokuroria nuk thërret asnjë nga te akuzuarit e dosjes 339 apo të shoh se si vendi tashmë është i kapur nga krimi i organizuar, nuk ka një gjykatë kushtetuese. Më thoni një vend të Evropës që për 5 minuta të mungonte gjykata kushtetuese dhe çdo gjë do quhej normalitet. Kemi dy pushtete që nuk funksionojnë. Nuk kemi gjykatë të Lart. Ju e dini çfarë kaosi është sistemi gjyqësor sot? Kemi një sistem i cili nuk ka të ngritur Inspektorin e Lartë të Drejtësisë,pra ish KLD-ja. Pra kush i kontrollon këta gjyqtarë dhe prokurorë? Askush. Gjithashtu nga ana tjetër kemi raporte që vijnë nga Brukseli për Operacionin Ndërkombëtar te Monitorimit që u vendos në kushtetutë pikërisht për të garantuar implementimin e drejtë të reformës. Çfarë ndodh? Kemi standarde të dyfishta në vetting. Kemi ngadalësim të procesit te vettingut, gjë që e sjell të pamundur që Komisioni Pavarur i Kualifikimit të arrijë deri në 2021 të kaloj në vetting të gjithë gjyqtaret e prokuroret. Kemi gjithashtu metodologji jo të njëjtë për çdo gjyqtarë. Sondazhi i fundit shumë i rënde, që nga 80% te shqiptareve që kanë dashur reformën për drejtësi para 3 vjetësh, padyshim unë kam qenë nga ata. Sot besueshmëria tek pastrimi i sistemit të drejtësisë nëpërmjet vetingut ka rënë në 60%. Padyshim që ne jemi për implementim të drejte dhe jo kapje siç ka ndodhur tashmë të reformës në drejtësi. Pasi po nuk pati një sistem drejtësie funksional dhe te pavarur nuk do të mund te kemi një shtet te se drejtës.Zgjedhjet e lira e të ndershme
Për mua e rëndësishme është që shqiptarët sot të kenë mundësi të zgjedhin të lirë, të votojnë. Pastaj le të fitojë më i miri. Kjo është gjithë filozofia e kauzës sonë. Pra të kemi mundësi të kemi zgjedhje të lira e të ndershme, të kemi mundësi që njerëzit të mos intimidohen apo kërcënohen as për vendin e punës, apo votat e tyre të blihen nga krimi i organizuar. Përsa i përket LSI-së ne jemi një forcë që jemi përballur që në fillimet tona, ju i mbani mend deklaratat e 2009-s, edhe Kodin Zgjedhor për të shuar LSI-në e kështu me radhë. Mendoj që është një forcë politike që ka treguar më së miri që është pro të rinjve, grave, vajzave dhe që kujdeset për njerëzit dhe kjo më bën krenare të jem pjesë e një force politike që mbron këto vlera.
Qeveria transitore
Për ne ka rëndësi që të jetë një qeveri transitore me 10 pikat që tashmë opozita i ka deklaruar për të pasur një proces zgjedhor sa më të ndershëm dhe të drejtë. Pra, për ne është me rëndësi që njerëzit që do të jenë aty të kenë një popullaritet, një besueshmëri te njerëzit. Për LSI-në është e rëndësishme që kjo qeveri të ketë gjithë besueshmërinë e publikut, të krijojë një neutralitet dhe një paqe sociale për të bërë të mundur që njerëzit të votojnë të lumtur në vendin e tyre dhe të zgjedhin alternativën që ata duan.
Zgjedhjet e 30 qershorit
Për sa i përket zgjedhjeve të 30 qershorit ju e dini mjaft mirë se kush është regjistruar në KQZ për të garuar, ku mbi gjysma e bashkive nuk kanë as kandidatë përballë, kështu që kthehemi në një sistem monist, ashtu sikurse është kthyer Parlamenti. Zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë dhe zgjidhja e vetme është largimi i z. Rama për t’i hapur rrugë dialogut, qeverisë transitore dhe zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, për të rikthyer legjitimitetin e Parlamentit dhe institucioneve të dala prej tij.