Nga Eden Babani, Bruksel
1
Zgjedhjet e sivjetshme në Belgjikë, të cilat do të mbahen më 26 maj, janë ogur i mbarë për Bashkësinë Shqiptare të këtushme, sidomos për brezin tonë të ri, i cili ka hedhur zaret për t’ u promovuar në politikën vendase. Dhjetëra vajza, gra e djem shqiptarë janë kandidatë të përzgjedhur nga spektri i plotë i politikës belge, për të tre nivelet e ligjvënësit: rajonal, federal dhe europian. Ka syresh të lindur në trojet tona etnike, ardhur këtu në periudha të ndryshme. Por ka edhe të lindur e të rritur në Belgjikë, të cilët nuk i kanë shkëputur lidhjet me origjinën e familjes, me gjuhën dhe me kulturën tonë.
Sot po sjell tri emra të tjerë, përpos emrit të Kristela Bytyçit, sjellë përpara dy-tre ditëve.
2
Vlonjatja Alketa Selimaj, renditet e pesta në listën e partisë Qendra Demokratike humaniste cdH (center démocrate Humaniste), për nivelin e ligjvënësit të Federatës së Belgjikës.
Shënoj paraprakisht se partia cdH është anëtare e grupimit të Partive Popullore të Europës (PPE). Historikisht, cdH i ka dhënë grupimit PPE disa presidentë, që nga Pierre Wigny, deri te Wilfried Martens.
Familja Selimaj ka ardhur në Belgjikë në vitin 2000, pas turbullirave të ‘97s në Shqipëri, të cilat prunë në pushtet pasardhësit e diktaturës komuniste. Ismet Selimaj, i ati i Alketës, ka pas qenë i dënuar politik nga regjimi i Enver Hoxhës, për shkak të bindjeve të tij antikomuniste, dhe ka vuajtur 15 vjet burg. Liruar më 1982, Ismeti mori pjesë aktive në proceset demokratike të viteve ’90, teksa 1997-a e gjeti punonjës të policisë, në Vlorë. Pasojat (kërcënimet) merren me mend lehtë jo vetëm nga ata që e kanë përjetuar atë çmenduri vëllavrasëse, por edhe nga ata që e kanë mësuar prej të thënave gojore ose prej shtypit.
Alketën e kam njohur fill pas ardhjes në Belgjikë. E shihja shpesh në Park Elizabetë, gjatë ditëve të nxehta të verës. Asohere banoja në komunën Koekelberg, sikurse edhe familja Selimaj. Dymbëdhjetëvjeçare, - në moshë tepër të njomë, - ajo vinte e shoqëruar nga e ëma, Tatiana, gjithnjë me një libër nën sqetull, me laps e me fletore në duar. Luante edhe me moshatarët, por më shpesh ulej e veçuar nën hije dhe studionte. Përpiqej me vullnet e këmbëngulje të zinte kohën për t’ u integruar në shkollë, krahas shokëve dhe shoqeve të klasës.
Vullneti dhe këmbëngulja i dhanë frytet e veta.
Sot, tridhjetë-e-njëvjeçarja Alketa Selimi, jeton ende në komunën Koekelberg, ku është këshilltare e CPAS-it (Center Public d’ Action Sociale – Qendër Publike për Veprim Social). Shtoj se të gjitha komunat e Brukselit (sikurse në të gjithë vendin) kanë secila qendrën e vet dhe këshillin e vet. CPAS-et shërbejnë për të garantuar kushtet e jetesës për qytetarët në nevojë, në përputhje me dinjitetin njerëzor, por në përshtatje me ligjet në fuqi. Këshilli i CPAS-it mblidhet kohë pas kohe për të shqyrtuar dhe për të miratuar propozimet e punonjësve socialë.
Diplomuar në drejtësi dhe studime europiane, Alketa punon si këshilltare politike, duke qenë aktive në shoqata të ndryshme, çka e ka ndihmuar të fitojë përvojën e angazhimeve në terren. Njëherazi, ajo është Sekretare Ndërkombëtare e Rinisë e partisë cdH.
Alketa thotë se ka vendosur të angazhohet në politikë, sepse mendon se të gjithë moshatarët e saj duhet të jenë aktorë të vendosur të ndryshimit.
3
Edhe Violeta Gashi, sikurse Alketa, konkurron si kandidate nën siglën e partisë cdH. Por, ndryshe nga shoqja e saj e partisë, ajo synon një vend në Dhomën e Përfaqësuesve të Region Bruxelles Capitale (Rajoni i Kryeqytet Bruksel).
Familja Gashi e ka prejardhjen nga Kosuriqi i Pejës. Ka emigruar në Belgjikë në vitin e largët 1959, kurse Violeta ka lindur këtu, në Bruksel.
E martuar dhe nënë e 3 fëmijëve, ajo ka vendosur t’i bashkohet partisë cdH për të mbrojtur vlerat humane, të cilat prindërit e saj i kanë mbrojtur shumë vite përpara. Është nënkryetare e partisë cdH për seksionin lokal të komunës së Skarbeekut.
Diplomuar me “Master në Komunikim”, Violeta është aktualisht pedagoge në një shkollë të lartë, teksa dëshiron t’i verë të gjitha dijenitë e saj në shërbim të të tjerëve, duke u dëshiruar gjeneratave të ardhshme një shoqëri të drejtë dhe të qëndrueshme.
“Brukseli është qyteti ynë, - shkruanin të dyja kandidatet, Violeta dhe Alketa, në një letër dygjuhëshe (frëngjisht dhe shqip), drejtuar bashkëqytetarëve të Kryeqytetit belg, veçanërisht bashkatdhetarëve. – Ai na mirëpriti dhe na pa të rritemi. Sot, Brukseli po përballet me tranzicione të mëdha njerëzore dhe mjedisore. Këto ndryshime të mëdha kërkojnë vizion të ri, prioritete dhe mënyra të reja veprimi”.
Sipas letrës, ato synojnë të përfaqësojnë një brez të ri politik, i cili “të parashikojë dhe të humanizojë të ardhmen, duke mbrojtur projekte të forta konsensuale, të sigurta dhe inovative”.
Le t’u urojmë Alketës dhe Violetës suksese në rrugën e gjatë të karrierës politike, dhe të kalojmë te Laura Lita.
4
Portretin Laura Litës, jam përpjekur ta paraqes në formën e një interviste me të.
Cila është prejardhja juaj familjare dhe prej sa vitesh jetoni në Belgjikë?
Gjyshërit e mi nga babai, - Rushdi Lita dhe Fetije Nerguti, - sikundër edhe gjyshërit nga nëna, - Gani Peposhi dhe Shkurije Tota, - ishin kundërshtarë të Enver Hoxhës dhe të regjimit komunist. Ishte kjo arsyeja që ata u arratisën nga Shqipëria në fund-vitet ’50 – fillim-vitet ’60 dhe, më pas u vendosën në Belgjike dhe në France. Sa u përket prindërve të mi, ata janë lindur dhe rritur larg vendit të prejardhjes familjare, krahinës së Kukësit, skundër edhe unë, e lindur këtu, në Bruksel.
Dy fjalë për formimin tuaj kulturor dhe profesional.
Pata fatin të kem mundësinë të studioj për shkenca politike në Universitetin Saint-Louis, në Bruksel, ku mbarova dhe bachelorin (bachelor – bashëlor, në Belgjikë, nënkupton diplomën e arsimit të lartë universitar ose jo universitar që çon në përfundimin me sukses të një cikli të parë trevjeçar). Me pas vazhdova me një Master, po ashtu ne degën e shkencave politike. Këtë radhë në Kanada (Québec). Tashti për tashti, punoj si Projekt Menaxher për një filial të kompanisë së famshme Sony.
Kur ia keni hyre jetës politike dhe pse ne MR?
Fillimisht jam angazhuar në zgjedhjet e komunës së Schaerbeek-ut, në tetor të 2017-s. Dëshira ime ka qenë dhe mbetet realizimi i shumë ideve konkrete, por gjithmonë në dialog me qytetarët. Kur m’ u ofrua mundësia të jem pjesë e një liste të udhëhequr nga një femër, nga Zonja Françoise Schepmans, në nivelin regjional, nuk mund të ishte ndryshe përveç se ta kapja këtë mundësi.
Jam angazhuar me partinë MR (Mouvement Réformateur – Livizja Reformatore) sepse për mua është partia që përfaqëson vlerat liberale, vetë liberalizmin. Dhe liberalizëm do të thotë mbrojtje e lirisë dhe e të drejtave thelbësore të individit. Mbron idetë e një liberalizmi social, çka do të thotë të bashkosh lirinë dhe barazinë. Vlerëson një shoqëri ku çdo individ është njëherazi edhe i lirë, edhe solidar. Partia MR është pjesë e Grupimit PPE. Ajo është një lëvizje progresiste me vlera që personalisht i kam shumë për zemër.
Diçka për takim / konferencën e 11 majit, ku ka qenê i pranishëm Z. Reynders.
Ka qenë kënaqësi për mua të isha e pranishme së bashku me zonjushën Kristela Bytyçi në takimin e 11 majit, ku ndodheshin zoti Didier Reynders, Zëvendës-Kryeministër, njëherësh Ministër i Mbrojtjes dhe i Punëve të Jashtme të Belgjikës, si edhe zoti De Maegt, gazetar që ka ndjekur për së afërmi sulmin e NATO-s në mbrojtje të popullit shqiptar të Kosovës. Ata folën mbi temën e lirive dhe të demokracisë. Ishte interesante të dëgjoje zotin Reynders të ndante me ne eksperiencën e tij në fushën e punëve të jashtme. Por ndërhyrja e zotit De Maegt, nga këndvështrimi i gazetarit, qe tepër emocionuese, teksa fliste për ngjarjet që ndodhen në vitin 1999, në Kosovë.
Kandidaturat e të rejave dhe të rinjve shqiptarë shtrihen në gjithë hapësirën e spektrit politik të Belgjikës. Si e shihni ju këtë fakt?
Bashkë me zonjushën Kristela Bytyçi jemi tepër krenare të shohim qytetarë me origjinë shqiptare të angazhuar në politikën e vendit. Pavarësisht nga partia që përfaqësojnë, ky fakt është tregues i qartë i integrimit në jetën demokratike dhe dëshirë për të arritur harmoni midis grupimeve politike dhe komuniteteve etnike.
Suksese në rrugën e gjatë të karrierës politike.
Falemnderit.