Të gjithë ata që janë skandalizuar nga lajmet e ditëve të fundit se koncesioni i rrugës Milot- Balldre do të kushtojë plot 15 milionë euro për km, duhet të marrin frymë thellë. Çudirat nuk kanë përfunduar. Dokumentat e reja që opozita ka arritur të « vjedhë » nga ministria e financave flasin për një shifër edhe më të lartë. Pra këto 17 km autostradë që në buxhetin e shtetit 2018 u planifikuan të kushtonin 113 mln euro, që pas tenderit të tetorit të po këtij viti u fry me 50 milionë euro (263 milionë) nuk është çudi të shkojë afër 300 milionë.
Këtë e ka bërë të ditur sot ish deputetja e partisë demokratike, Jorida Tabaku e cila ka zbuluar në një konferencë shtypi nenet skandaloze të një kontrate që do ti lejojë kompanisë fituese ANK të marrë para publike sa herë të gjykojë se ka nevojë për punime shtesë (shiko faksimilet e kontratës poshtë pjeset e nenvizuara).
Kjo praktikë e çmendur, përbën një risi, pasi deri më tani kontratat publike janë firmosur sipas parimit: Kjo është sasia e parave të pandryshuara që të detyron të dorëzosh punën me çelësa në dorë.
Kështu duhet të funksiononte normalisht edhe këtë radhë nëse e gjitha nuk do të ishte konceptuar si një aferë grabitjeje, pasi kompania fituese e ka marrë këtë rrugë me ofertë të pakërkuar që i bie se ajo i ka bërë vetë studimet e kostove.
Por tabela e siguruar nga Ministria e financave (shiko kolonën e shenjuar me të verdhë) tregon se në pagesat e përvitshme që do të fillojnë ti jepen kompanisë në vitin 2021 për të përfunduar në 2032 shifra totale parashikohet të jetë 36 miliardë lekë, pra 290 milionë euro…
Pra me një fjalë gati një trefishim i kostove të projektit fillestar. Dhe për të hequr përgjegjësitë e të gjithë ministrave apo kryeministrit për këtë aferë gjigande, Edi Rama ka vendosur që këtë aferë të dyshimtë mos e miratojë si qeveri, por ta kalojë si ligj në paralament duke bërë bashkfajtorë të gjithë deputetët që do të votojnë pro saj.
Kontrata e 17 Km të rrugës Milot – Balldre përpos fakteve të dala së fundi ka ngjallur edhe shumë dyshime. Kompania “fituese” ANK e ish deputetit socialist Agim Kola nuk i ka gjendje 50 milionë eurot që do duhej të investonte për këtë projekt. Do mjaftonte ky fakt që ka ngritur shumë hipoteza për atë që realisht fshihet pas saj, për të anulluar këtë tender që i trefishoi kostot e tij fillestare.
Por me sa duket Edi Rama ka vendosur ti shkojë deri në fund, duke rritur në 19 milionë rekordin për kilometër të rrugëve të ndërtuara prej tij, ndërkohë që për krahasim, autostrada Fier Vlorë ka kushtuar rreth 2 milionë euro për Km.