Funeral dhe mallkime, fushata e Edi Ramës si një ritual satanik

Saturday, 01 June 2019 18:38

Nga Ilir Nikolla

Vëmendja e opinionit publik ndaj ushtrimit të çeljes së fushatës elektorale pa kundërshtarë të Partisë Socialiste, dmth Edi Ramës, nuk i zhgënjeu pritshmëritë. Ajo i pati të gjitha, që nga loja me porta të vogla e Erion Veliajt, që përpiqej të jepte idenë se ai ishte punëtori i madh dhe e ardhmja e partisë e deri tek Edi Rama, që fjalimin e tij plot skizofreni politike e kishte të mbushur me armiq partie e armiq populli, me lapsuse frojdiane se ai kurrë “s’e kishte futur dorën në xhepin e ndonjë shqiptari” si dhe me frazën e shqiptuar sipas stilit alla “Beni ecën vetë” se “unë do të kisha ikur me kohë, por ua kam borxh shqiptarëve që të rri”.

Erion Veliaj duket shumë i tromaksur nga aksioni politik i opozitës dhe nga gjasat që lëvizja popullore të fshijë ëndrrën e tij për një mandat të dytë në bashki e më tej për një mandat të parë në krye të PS, sa e harxhoi kohën duke kopjuar diskursin e këtyre kohëve të kryetarit të opozitës, Lulzim Bashës, vetëm se duke e atribuar kryefjalën tek vetja dhe tek PS. Ja fraza-çelës e fjalës së Erion Veliajt, ku janë edhe dy frazat e përdorura si devizë nga kryetari i opozitës në takimet e fundit me qytetarë në të gjithë vendin. “Me 30 qershor, me fitoren e Partisë Socialiste garantohet “fundi i tranzicionit të tejzgjatur”. Për të gjithë “ata që e duan Shqipërinë si e gjithë Evropa”, alternativa është Partia Socialiste e Shqipërisë”.

Konspektimi i ligjërimit të Lulzim Bashës ishte në fakt pjesa më normale e çeljes së fushatës në Parkun Olimpik. Në atë ambient sportiv mbizotëronte paniku dhe të gjithë të pranishmit iu nënshtruan një ushtrimi terapeutik për të klithur se bashku se me 30 qershor nuk do të ndodhte asgjë. Edi Rama, më i frikësuari ndër të gjithë, kishte pranuar sfidën e opozitës, dhe fjalimin e tij ja kushtoi “përballjes mes dy botëve”. Nëse për Lulzim Bashën, është Shqipëria e shumicës, e varfëruar dhe e vjedhur, përballë pakicës së qeverisë së lidhur me krimin dhe me oligarkinë, Edi Rama e kishte mbushur fjalimin me terminologji të kushtetutës së 1976-s, ku përballë “Shqipërisë që voton” dhe që pranon se “PS është forca e vetme udhëheqëse e shoqërisë”, gjendet kategoria e armiqve, e cila është sipas rastit, e prapambetur, sherrxhie dhe e detyruar të shkojë prapa hekurave. Ushtrimi i burgut nuk e ngjalli aspak situatën prej funerali në Parkun Olimpik të Tiranës, prandaj Edi Rama e harxhoi gjithë fjalimin duke folur mirë për qeverimin e tij, për veten e tij dhe disi mirë edhe për Tiranën e Erion Veliajt (e cila mund të ishte edhe më e mirë), njësoj siç flitet mirë në funerale për të ikurin.

Fjalimi u mbyll mallkueshëm në mënyrë të denjë, si frazat për misionin e vazhdimit të Ramiz Alisë. Pasi premtoi se opozita e hienave pas 30 qershorit do t’i përkiste të shkuarës dhe “keni për ta parë”, erdhi radha e frazës përjashtuese, e cila premtonte se asgjë s’do të ndryshonte për pushtetin e tij pas 30 qershorit dhe se kush s’ishte me të, “kishte për ta parë”. Deliri diktatorial u mbyll me deklaratën: “Misioni historik i PS është mishërimi i të vetmes rrugë për Shqipërinë evropiane”.

Rituali satanik i 1 qershorit synonte t’i nxirrte Ramës frikën e fundit që po i afrohet dhe ta bindte atë dhe turmën e simpatizantëve se me magjinë e fjalimit dhe vendosmërisë së regjimit policor, opozita e rrugës do të ishte viktima sakrifikale e ditës. Se si del frika në një mbledhje që u mbajt në gjysëmilegalitet në periferi të Tiranës dhe u mbyll me porosinë “mos kërkoni vota kur të shkoni në fushatë”, e marrin me mend edhe ata që sot kishin me të vërtetë ditën e festës së tyre.

Login to post comments