Festa e Republikës Italiane, Meta letër Presidentit Mattarella

Diel, 02 June 2019 09:54

Presidenti Ilir Meta uron homologun e tij italian, Sergio Mattarella me rastin e Festës së Republikës Italiane. Përmes një letre zyrtare, Kreu i Shtetit shkruan se çmon lart bashkëpunimin dhe kontributin e dy vendeve tona në sigurinë rajonale e më gjerë.

Letra e Kreut të Shtetit

I nderuar Zoti President,
I dashur mik,

Kam kënaqësinë e madhe që me rastin e Festës së Republikës Italiane, në emër të popullit shqiptar dhe, në emrin tim personal, t’Ju dërgoj Juve dhe popullit mik italian urimet më të përzemërta dhe më miqësore!

Nënvijëzoj me kënaqësi, i nderuar mik, nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve historike e shumëdimensionale midis Shqipërisë dhe Italisë, marrëdhënie të cilat, edhe falë partneritetit tonë strategjik, po intensifikohen e pasurohen në vijimësi si në planin dypalësh, ashtu edhe në atë shumëpalësh.

 

Populli shqiptar, i nderuar Zoti President, i është thellësisht mirënjohës mikpritjes shekullore të popullit italian. Komuniteti arbëresh në Itali është respektuar ndër vite në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe është mirintegruar shumë natyrshëm në shoqërinë italiane.

Edhe shqiptarët që emigruan pas viteve ’90 zbuluan në bregun tjetër të Adriatikut, gjithashtu, jo vetëm shpirtin mikpritës të shkëlqyer të popullit italian, por dhe një vlerë thellësisht evropiane, “të bashkuarit në diversitet”, e cila në aktualitetin e dinamikave ndërkombëtare, mbart sot, më shumë se kurrë një mesazh të fuqishëm.

Ne ndihemi krenarë që shqiptarët tanë të Italisë janë sot përfaqësues të denjë të të dy kombeve në fushat e artit, sportit, letrave, madje edhe të politikës, duke mishëruar kështu jo vetëm përkatësinë e tyre evropiane, por edhe garancinë për marrëdhënie edhe më të ngushta mes dy vendeve në të ardhmen.

Ne çmojmë lart bashkëpunimin dhe kontributin e dy vendeve tona në sigurinë rajonale e më gjerë, si dy vende anëtare të NATO-s, si dhe mbështetjen e pakursyer e të vazhdueshme të Italisë mike, si avokate e fuqishme ndaj procesit eurointegrues të Shqipërisë.

Me shumë kënaqësi, i nderuar mik, dëshiroj të vlerësoj kontributin Tuaj të madh jo vetëm në dinamizmin e lidhjeve mes dy vendeve tona mike, por edhe në vëmendjen e përkushtimin Tuaj ndaj zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke mbështetur nevojën e konsolidimit të arritjeve të deritanishme, veçanërisht parimin e bashkëjetesës në frymën e vlerave evropiane.

Duke ju ripohuar edhe një herë ndjenjat e miqësisë së thellë të popullit shqiptar, Ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, i nderuar mik, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!

Login to post comments