Në postimin e Kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi nuk ka munguar edhe ironia ndaj deklaratës së kryeministrit Rama, i cili sipas saj pranonte se ishte arrogant, por se nuk kishte futur dorën në xhepin e askujt.
Kryemadhi e ka quajtur këtë deklaratë humor, ndërkohë që ajo ka rreshtuar të gjitha rastet e grabitjes dhe korrupsionit galopant dhe të drejtpërdrejt të kryeminstrit ndaj xhepave të shqiptarëve.
Kryemadhi ka përmendur koncensionet qindra milion eurosh për rrugët Balldren-Milot, Orikum-Dukat, tenderin korruptiv të Unazës së Re, 300 milion eurot e koncensioneve në shëndetësi, apo 218 tenderat sekretë të realizuar nga qeveria.
“Edi të falenderoj, më solle humorin me datë 1 qershor ditën e fëmijëve, me shprehjen tënde: ‘Jam arrogant, por nuk i kam futur dorën në xhep askujt’. Eh, more Edi, si mund të futen në një xhep njeriu koncensionet e rrugëve si ajo e Balldren-Milot apo Orikum-Dukat ku vlerat e tyre kalojnë qindra milionë euro?! Si mund të zerë një xhep, diferencën nga 102 milionë euro, që ishte projekti i qeverisë tënde, në 260 milionë, që e dhe me koncension?! Si mund të zërë një xhep, 70 milionë euro, një zgjerim rruge me 3 metra gjerësi dhe gjatësi 14 kilometra?! Si mund të zerë një xhep, tenderat korruptivë me letra fallco të Unazës së Re. Plot 40 milionë euro. Si mund të zërë një xhep tenderin e 13 milionë eurove tek OST me firmën fantazmë me letra fallco?! Si mund të zërë një xhep 300 milion eurot e koncensioneve në shëndetësi. Ku vetëm në njërin prej tyre, paguhet për punë të pa kryer, aq sa i jep në një vit subvencion fermerëve. Si mund të zërë një xhep 218 tendera “sekretë” të qeverisë tënde?! Si mund të zërë një xhep të ardhurat nga laboratorët e drogës apo ato nga kanabizimi i vendit?! Eh, Edi, nuk ka xhep palltoje sa do e madhe të jetë apo pantallonash sa do të gjëra të jenë, si ato të tuat, t’i zërë. Pas kësaj bëj gati sms me sharje, shpifje dhe ofendime. Lëshoji pa fre “jeniçerët” e taborrit tënd”, shkruan Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.