Përveç të qenit deputet i qarkut të Vlorës, kryeministri Edi Rama ka habitur jo pak me vizitat e shpeshta në këtë qytet, sa herë në Tiranë, Kukës, Shkodër, a diku gjetkë në pjesën veriore të Shqipërisë, ka revolta. Në paraditen e 31 marsit, ndërsa ishte paralajmëruar protesta në afërsi të tunelit të Kalimashit, kryeministri Rama shkoi në Vlorë, ku detyroi nëpunësit e shtetit ta dëgjonin mbi një orë për premtimet që jepte për ndërtimim porti, aeroporti, zhvillim turizmi dhe çdo gënjeshtër tjetër si ato që lëshon në kohë fushatash.
Madje, aq i dhënë ishte pas këtij takimi, sa nuk u informua në kohë që në tunelin e Kalimashit protestuesit kishin shkatërruar dhe djegur sportelet e kompanisë që vilte taksën për Rrugën e Kombit. Atë ditë “shpëtimin” e gjeti në Vlorë, por sërish era e protestave nuk ishte ndalur. Tre ditë më vonë, kur e gjithë Tirana u blindua me mbi 1000 efektivë policie për të ndaluar protestuesit t’i afroheshin gjykatës ku po merrej masa e sigurisë për 23 të arrestuarit e protestës së Kukësit, kryeministri shkoi sërish në Vlorë. Këtë herë nuk bëri shumë premtime për ngritje infrastrukturore, por sa për të justifikuar vajtjen, shkoi në një shkollë profesionale ku i shpjegonte drejtorit të saj se si “zhvillohet” mësimi…
Por numri një i qeverisë e bëri rrugë këtë punë. Të premten kishte lajmëruar se do të mbante një takim në Shkodër, me drejtorët lokal dhe një pjesë të biznesit të përzgjedhur, por kur u informua se do kishte protesta dhe se biznesmenët e vegjël do e prisnin me veze e patate, ndryshoi mendim. Iku… në tjetër vend dhe ku? Sërish në Vlorë. Këtë herë shpiku një motiv për tërheqjen e një certifikate mirënjohje që ishte në emër të nënës së tij Aneta Ramës, si stomatologia e parë në vend.
Po pse Rama po zgjedh Vlorën sa herë ka protesta? Një gjest i mirëmënduar, ndoshta duke synuar që kësaj revolte ti japi jo vetëm karakter politik, por edhe krahinor. Një formë dredhie që asesi nuk mund të kapërdihet as në Vlorë e as në zonat e tjera si Fieri, Berati, Gjirokastrë e çdo qark tjetër në jug, që vuan njësoj si në çdo qytetar tjetër në Shqipëri. Taksa të rritura, mungesë punësimi, fermerë të shkatërruar duke u hequr edhe ato pak subvencione dhe punëtorë të hedhur në rrugë, si në rastin e Uzinës së Ballshit.