Tashmë me rastin e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në Greqi, një nga kandidatët më potencial për kryeministër të Greqisë është Kiriakos Micotakis, kreu i “Demokracia e Re”. Në kuadër të kësaj fushate për zgjedhjet e 7 korrikut, ai ka paralajmëruar nominalisht kryeministrin e Shqipërisë, se kur të vijë në pushtet do të vendosë sanksione ndaj Shqipërisë nëse nuk respektohen të drejtat e minoritetit grek në vendin tonë.
Micotakis, partia e të cilit shihet favorite, u shpreh se nëse Rama dëshiron që të ketë marrëdhënie të mira me Greqinë duhet në radhë të parë të respektojë të drejtat e minoritetit grek.
“Do të ketë sanksione nëse nuk respektohen të drejtat e komunitetit grek dhe kjo ka lidhje me marrëdhënien dypalëshe. Nëse do Rama të kemi marrëdhënie të mira, të respektojë të drejtat e minoritetit grek.”
Edhe pak ditë më parë kryeministri aktual Aleksis Cipras gjatë prezantimit të programit elektoral paralajmëroi Shqipërinë, se nuk do të merrte dritën jeshile për në BE në rast se nuk plotësohen të gjitha të drejtat dhe detyrimet që vendi ynë ka ndaj minoritetit.