Kryeministri dhe deputeti, Edi Rama, nëpërmjet një fjalimi të gjatë ka derdhur ditën e sotme një përrua fyerjesh dhe etiketimesh denigruese ndaj numrit një të shtetit shqiptarë, presidentit të Republikës Ilir Meta. Por meqenëse kemi të bëjmë me një parlament monist të përzier me deputetë renegatë që vendosën të bëjnë fasadën parlamentare të Rilindjes, askush prej tyre nuk ndërhyri të ndërpriste lumin e fjalëve fyese të deputetit Rama.
Por këtë veprim nuk guxoi që ta bëjë as kryetari i Kuvendit dhe drejtuesi i senacës, Gramoz Ruçi, i cili e ka të përcaktuar me rregullore, që në raste të till të ndërhyjë; të paralajmërojë apo të ndërpresë fjalën e kujtdo që përdor një gjuhë jo vetëm jo etike por edhe denigruese ndaj kryetarit të shtetit.
Sipas nenit 65 të Rregullores së Kuvendit; “Kur deputeti bën thirrje për përdorim dhune, provokon rrëmujë në seancë që pengon zhvillimin e saj të rregullt, fyen ose kërcënon deputetët e tjerë, anëtarët e këshillit të minstrave, ose përdor fjalë fyese për Presidenti e Republikës apo institucioneve të tjera shtetërore ndalohet të marrë pjesë në seancë plenare dhe komisione deri në 10 ditë”.
Por kjo gjë nuk ndodhi dhe tashmë, nuk përbën më çudi. Deputeti Rama e akuzoi presidentin Ilir Meta, se kërkon që të bëhet “mbret”, por e vërteta është që në Shqipëri ka vetëm një individ i cili ka shtënë në grusht të gjithë pushtetet dhe institucionet, duke funksionuar si mbret absolut edhe brenda paralamentit të Republikës.