Ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj i është përgjigjur akuzave të kreut të grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla për kreun e PD-së Lulzim Basha.
Në një status në “Facebook”, Alibeaj thotë se Balla dhe Rama dështuan të përdorin prokurorinë si helm për shqiptarët, duke i cilësuar akuzat ndaj Bashës qesharake dhe politike.
“Taulant Bego dhe Edi Avdylaj janë mërzitur shumë. Përpjekja për të përdorur prokurorinë në ngritjen e akuzave qesharake, të cilat ua hodhën me shpejtësi si helm shqiptarëve dhe partnerëve, u kanë dështuar.
Asnjë sajesë dhe askush nuk i pastron dot nga bashkëpunimi me krimin në blerje votash, në marrje, ndarje dhe përfitim pushteti.
Largimi i bandës që ka marrë peng vendin, është më jetik se kurrë për t’i hapur rrugën Shqipërisë si Europa dhe për të ndalur rikthimin e izolimit të vendit.
Asnjë hap pas! Zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shqipëria si Europa ✌✌✌”, shkruan Alibeaj.