Ish-deputeti Demokrat Flamur Noka ka komentuar përgjimet e publikuara në gazetën gjermane “Bild”, ku në një bisedë telefonike mes kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarit socialist Arben Keshi, përmendet edhe Famur Noka si kreu i një grupi prej 50 personash që dhunonin votuesit socialistë.
“Janë gjëra banale, nuk dua të hyj në këtë histori”, ka thënë shkurt Noka në emisionin “5 Pyetje nga Babaramo” në Report Tv, ndërsa ka vijuar me akuzat për kryeministrin Rama dhe Arben Keshin.
Noka: Ka pasur përplasje nga qytetarët dhe njëri nga ata që merrej me shitblerjen e votës. Incident normal siç ndodhin në datën e zgjedhjeve. Kam qenë dëshmitar i kësaj maskarade 3 muaj. Qarkullonte nga mëngjesi në darkë me thasë me para. Kush nuk pranonte para kërcënohej, prandaj kemi dalë. Dhe ky shefi i komisariatit u gradua pastaj, u ngrit. Ishin të gjithë ushtarë politikë dhe jo punonjës të shtetit.
Babaramo: Aty thuhet që Flamur Noka ishte me 50 persona. A kishin armë palët?
Noka: Këto janë gjëra banale nuk dua të hyj në këtë histori. Informacioni ishte që Arben Keshi nga mëngjesi në darkë trokiste në derë të banorëve për të shpërndarë para me lista. Kush nuk pranonte kërcënohej. Del edhe një gjë tjetër që ata kishin parcelat me kanabis, dhe diheshin që pronarët ishin Arben Keshi dhe Robert Ago.