Gazetari gjerman i tabloidit ‘Bild’, Peter Tiede, ka reaguar sërish përmes një postimi në llogarinë e tij personale në rrjetin social ‘Twitter’, lidhur me deklaratën e një dite më parë të kryeministrit Edi Rama.
Pas publikimit të 16 audio-përgjimeve mbi dosjen 184, kreu i qeverisë paralajmëroi se do ta padiste gazetarin në një gjykatë gjermane, me arsyetimin e drejtësisë së munguar.
‘Kam vendosur ta çoj në gjykatat gjermane këtë gazetar dhe në atë vend të bekuar,ku drejtësia nuk bën lojra me sekretet hetimore e ku dinjiteti i njerëzve dhe i shteteve respektohet si vlerë e pacënueshme, le të shohim kush është me të drejtën në këtë histori drejtësie të munguar’, shkruante Rama në ‘Twitter’.
Ndërsa, Tiede, ka zgjedhur të komentojë deklaratën e Ramës duke vënë theksin tek rastësia ironike e vizitës në Tiranë të një delegacioni të Bashkimit Evropian mbi lirinë e medias dhe fjalën e lirë, me kërcënimin për ngritjen e një padie ndaj tij.
‘Ditën kur Kryeministri Rama më kërcënoi se do të më padiste për publikimin e përgjimeve, një grup delegacioni zbarkon në Tiranë lidhur me lirinë e medias, fjalës së lirë nga Bashkimi Europian.’- ka shkruar gazetari.