Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, ka reaguar për çështjen e vizave, pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se Shqipëria nuk është në rrezik për lëvizjen e lirë. Ajo thotë se në vend që të mblidhte institucionet përgjegjëse për lëvizjen e lirë, kreu i qeverisë iku në Londër. Shqetësimin e saj, Gjosha e lidh me qëndrimin e Komisionerit Avromopoulos pikërisht për këtë çështje, i cili është shprehur se Shqipëria rrezik lëvizjen e lirë nëse nuk frenon numrin e shqiptarëve që kërkojnë azil. ”Parandalimi duhet të ndodhë sot, nesër mund të jetë shumë vonë dhe me pasoja të rënda për qytetarët shqiptarë! Të gjithë kemi në memorien tonë rradhët e gjata në ambasada. Uroj që kjo t’i përkasë vetëm të shkuarës, sepse e ardhmja duhet t’i përkasë Shqipërisë europiane dhe jo Shqipërisë rrethuar nga kufijtë dhe izolimi”.
Postimi i plotë
Z.Kryeministër sa i sigurtë jeni që nuk do t’i rikthehen vizat shqiptarëve, apo aq sa ishit i sigurtë dhe triumfator edhe vjet kur i mashtruat për celjen e negociatave? Sa turp për ju që keni harruar të qeverisni për qytetarët! Sa turp për ju që shkelët me këmbë perspektivën europiane të Shqipërisë! Sa turp për ju që sillni vetëm përcarje në këtë shoqërinë tonë të varfëruar deri në palcë!
Sot nuk duhet të ishit në Londër por duke drejtuar mbledhjen urgjente me institucionet përgjegjëse për lëvizjen e lirë. Sinjali i dhënë nga Komisioneri Avromopoulos është alarmues dhe ai shkon në të njëjtën linjë me kërkesen zyrtare të ardhur nga Hollanda për pezullimin e vizave si dhe ngritjes së këtij problemi edhe më parë nga Franca, Belgjika dhe shumë partnerë të tjerë europianë. I bëj thirrje qeverisë shqiptare ta trajtojë këtë cështje me seriozitet panvarësisht shpërfilljes që i bën Kryeministri në largim, duke bashkëpunuar me partnerët europianë. Ministria e Brendshme dhe Policia e shtetit luajnë një rol kyç në përmbushjen e këtij detyrimi.
Ndërkohë dëshiroj të rizgjoj Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme se është detyrë e saj kryesore të koordinoj të gjitha kërkesat e ardhura nga BE me institucionet e tjera përgjegjëse. Është urgjente miratimi i një plani masash për parandalimin e fenomenit të azilkërkuesve, duke analizuar në thelb pse ndodh ky fenomen, cilat janë shkaqet, duke filluar me trajtimin e cështjes në gjenezë si pasojë ekonomiko-sociale! Parandalimi duhet të ndodhë sot, nesër mund të jetë shumë vonë dhe me pasoja të rënda për qytetarët shqiptarë! Të gjithë kemi në memorien tonë rradhët e gjata në ambasada. Uroj që kjo t’i përkasë vetëm të shkuarës, sepse e ardhmja duhet t’i përkasë Shqipërisë europiane dhe jo Shqipërisë rrethuar nga kufijtë dhe izolimi!