Dekreti i Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta për shfuqizimin e 30 qershorit si data e zgjedhjeve loakle dhe mospranimii i këtij vendimi nga KQZ ka krijuar nëShqipëri një situatë të paprecedent.
Nga Deutsche Welle
Të mërkurën, ( 19.05) Bashkia e Beratit, Matit, Lezhës, Kukësit, Klosit, Skraparit; Kavajës, Bilishtit, Gjirokastrës kërkuan lirimin e mjediseve që janë në pronësi të bashkisë me arësyetimin e zbatimit të dekretit të Presidentit Meta për mos zhvillim të Lokaleve2019. Në Bashkinë e Matit, mbështetës të opozitës u përleshën me policinë.KQZ bën me dije të mërkurën se ata përdorën sende të forta duke plagosur efektivat e policisë, që në kundrpërgjigje përdorën gaz lotsjellës.
Mosbindja civile filloi të martën në Bashkitë e djathta të Shkodrës dhe Tropojës. Burime zyrtare nga KQZ bëjnë njoftojnë, se të martën në mbrëmje (18.06), në Bashkinë e Shkodrës, mbështetës të opozitës hynë në oborrin e gjimnazit "Shejnaze Juka” dhe pasi u konfrontuan me forcat e policisë, i vunë flakën njërës prej klasave të katit të parë të shkollës, ku ishte vendosur Komisioni Zonal i Administrimit të Zgjedhjeve,(KZAZ). Të njëjtat burime pohojnë, se u dogj gjithë baza materiale e sjellë nga KQZ për përgatitjen e zhvillimit të votimit më 30 qershor.
Incidenti, në mbrëmjen e së martës u parapri më herët, nga konfrontimi fizik i mbështetësve të opozitës me komisionerët e KZAZ, të vendosur në Pallatin e Sportit, Shkodër, dhe efektivat e policisë duke synuar të pengojnë hyrjen e komisionerëve në mjediset e KZAZ. Në këto kushte KZAZ në Pallatin e Sportit është marrë nën mbrojtjen e Policisë së Shtetit.
Në Bashkinë e Tropojës, mbështetës të opozitës hynë të martën me dhunë në mjediset e KZAZ dhe nxorrën jashtë materialet zgjedhore për zhvillimin e votimeve më 30 qershor.
Episodet e mosbindjes civile në Bashkitë e fituara nga PD në zgjedhjet lokale 2015, ndodhin pas paralajmërimit të kryetarëve të këtyre bashkive, se nuk do të lejojnë ngritjen e qendrave të votimit në mjediset që bashkia administron, por do të zbatojnë dekretin e Presidentit Meta për shfuqizimin e datës 30 qershor.
Bashkitë e djathta: Lironi mjediset e KZAZ
Burime nga KQZ bëjnë me dije, se kanë informacione se incidente të tilla mund të zhvillohen në vijimn në bashki të tjera të drejtuara nga opozita.
Pas daljes së dekretit nga Presidenti Meta për anulimin e 30 qershorit si data e zhvillimit të Lokaleve 2019 dhe mosnjohjes së këtij vendimi nga KQZ, në zbatim të Kodit Zgjedhor, kryetarët e bashkive të djathta i kërkuan këtij komisioni të lirojnë mjediset ku janë vendosur KZAZ, qendrat dhe materialet e votimit, mjedise që janë nën juridiksionin e bashkive.
Kërkesa vjen në vijim të deklaratës së PD, se do të pamundësojë zhvillimin e Lokaleve 2019 dhe angazhimit të saj për ngritjen e "Aleancave Qytetare në Mbrojtje të Demokracisë" në të gjitha bashkitë, përfshirë edhe ato të drejtuara nga PS, ku fushata po vazhdon pa incidente.
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, drejtuese e Shoqatës së Kryetarëve të bashkive të djathta, tha në konferencë për shtyp të martën se në zbatim të dekretit të Presidentit Meta, KQZ duhet të lirojë të gjithë mjediset, që janë pronë e bashkive.
" Do të bëj gjithçka për kontrollin e territorit të bashkisë, duke mos lejuar asnjë puç institucional të bandave të Edi Ramës që drejtojnë policinë, prefekturën dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”,deklaroi Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.
KQZ: Çdo cënim i procesit zgjedhor përbën vepër penale
Por KQZ bëri të martën njoftoi zyrtarisht, se kërkesa për lirimin e menjëhershëm të mjediseve ku janë vendosur KZAZ dhe ndërprerja e veprimeve për afishimin e listave të zgjedhësve në mjediset që janë në pronësi të bashkive „përbën tejkalim të kompetencave dhe detyrave të njohura nga ligji për vetëqeverisjen lokale". Në deklaratën e KQZ theksohet, se "çdo cënim i procesit zgjedhor përbën vepër penale".
Opozita e djathtë nuk merr pjesë në Lokalet 2019, pasi sipas saj „ ato nuk do të jenë të lira dhe të ndershme". Që prej 4 muajsh PD dhe partitë e tjera opozitare kanë dorëzuar mandatet e tyre parlamentare dhe po zhvillojnë protesta për të rrëzuar qeverinë Rama, e akuzuar prej tyre për korrupsion, e ardhur në pushtet nga blerja e votës dhe lidhjet me krimin e organizuar. Këto ditë gazeta bulevardeske gjerane „ Bild" publikoi një tjetër seri përgjimesh të Prokurorisë në Shqipëri, lidhur me blerjen e votës nga PS, në zgjedhjet parlamentare 2017.
Opozita ka paralajmëruar vijimin e protestave të saj kombëtare më 21 qershor.